‘Retro’ në ‘Odën’ shkodrane, Anila Hetoja ‘skalit’ traditën në 20 piktura, artistja: Kthehem tek rrënjët! Të rinjtë të njohin vlerat e trashëgimisë

1 Korrik 2022, 15:50| Përditesimi: 1 Korrik 2022, 16:11

  • Share

Anila Hetoja rikthehet në vendlindje e troket përmes ngjyrës e formës, në memorien e Shkodrës së saj... Rrugëton në kujtimet e së kaluarës, e sjell në ekspozitën “Retro” veshjet tradicionale, që i pa t’i vishte me aq endje gjysha e saj, e shkodranët e tjerë aq të lidhur me trashëgiminë...

20 punime, akrilik në kanavacë por edhe në pastel, artistja e projekton këtë ngjarje prej 5 vitesh. Zgjedh atmosferën e ngrohtë e familjare të galerisë “ODA”, për të shpalosur punimet folk. Muzika tipike shkodrane bëhet bashkëshoqëruese e vizitorëve mbrëmjen e së enjtes.

“Kur është hapur në fillim ‘Oda’, unë kam menduar që kjo do të jetë një strehë e ngrohtë për artistët. Por, sot kur kjo strehë e ngrohtë, përveçse feston një ekspozitë, feston edhe datëlindjen e artistes, unë mendoj se jemi aty ku duhet”, thotë drejtorja e galerisë Rozafa Shpuza.

Në piktura, veriu zë hapësirën kryesore, me kostumet popullore e elementë të veçantë të tyre nga Kruja në Malësi të Madhe... Por Hetoja, përmes detajeve në xhubletë, kapele, telminja e mbështjellëse bashkon gjithë Shqipërinë, që siç thotë ndonëse nuk e ka përjetuar, e ka studiuar në kohë.

E rritur në një atmosferë të ngrohtë ku dashuria shprehej përmes fjalës, këngës e poezisë, këtë gjurmë piktorja e risjell edhe në punimet e saj, duke i veshur pikturës “Çifti” hijeshinë e traditës...

“Jam e lumtur që jam sot në vendin tim në rrënjët e mia. Kam ardhur në “Retro” me motive tradicionale sepse kam dashur të sjell traditën tonë, që kjo traditë të ruhet. Të rinjtë të ndërgjegjësohen për vlerat e saj”, thotë artistja.

Për Shkodrën e fëmijërisë ku u rrit, i thërret kujtesës e sjell peizazhe ende të paindustrializuara nga Kalaja, e deri në ditët e sotme, ku qyteti rend me hap të shpejtë drejt zhvillimit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?