Sociale

Reuters: Vendbanimi më i vjetër liqenor i Evropës ndodhet në Shqipëri

17 Korrik, 22:48| Përditesimi: 17 Korrik, 22:56

  • Share

LIN, Shqipëri, 17 korrik (Reuters) – Arkeologët që punojnë në brigjet e Liqenit të Ohrit në Shqipëri janë të bindur se kanë zbuluar vendbanimin më të vjetër njerëzor të ndërtuar mbi një liqen në Europë, duke gjetur prova të një komuniteti të organizuar gjuetarësh dhe bujqësor që ka jetuar deri në 8,000 vjet më parë.

Ekipi, i përbërë nga studiues nga Zvicra dhe Shqipëria, kalon orë të tëra çdo ditë rreth tre metra nën ujë, duke nxjerrë me kujdes shtylla druri që kanë mbajtur shtëpitë e ndërtuara mbi to. Po ashtu po mbledhin eshtra të kafshëve shtëpiake dhe të egra, objekte prej bakri dhe qeramika me gdhendje të detajuara.

Albert Hafner, nga Universiteti i Bernës, tha se vendbanime të ngjashme janë zbuluar në rajonet alpine dhe mesdhetare, por ato në fshatin Lin janë rreth gjysmë mijëvjeçari më të vjetra, duke u datuar mes 6,000 dhe 8,000 vjet më parë.

“Për shkak se është nën ujë, materiali organik është ruajtur mirë dhe kjo na lejon të zbulojmë çfarë kanë ngrënë këta njerëz, çfarë kanë mbjellë,” tha Hafner.

Studime të shumta tregojnë se Liqeni i Ohrit, që ndahet mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është liqeni më i vjetër në Europë, me një moshë mbi një milion vjeçare. Mosha e zbulimeve përcaktohet përmes datimit me radiokarbon dhe dendrokronologjisë, e cila mat unazat vjetore të rritjes së pemëve. Janë mbledhur mbi një mijë mostra druri nga vendi i gërmimeve, i cili mendohet të ketë strehuar disa qindra banorë.

Zona mendohet të shtrihet në rreth gjashtë hektarë, por deri më tani, pas gjashtë vitesh pune, është gërmuar vetëm rreth 1% e saj.

Hafner tha se të dhënat tregojnë që njerëzit që jetonin në këtë vend ndihmuan në përhapjen e bujqësisë dhe blegtorisë në pjesë të tjera të Europës.

“Ata ende merreshin me gjueti dhe mbledhje të ushqimeve, por burimi i qëndrueshëm për ushqimin vinte nga bujqësia,” tha ai.

Arkeologu shqiptar Adrian Anastasi tha se mund të duhen dekada për të eksploruar plotësisht zonën.

“Duke parë mënyrën se si ata jetonin, hanin, gjuanin, peshkonin dhe mënyrën si ishte ndërtuar arkitektura e vendbanimit të tyre, mund të themi se ata ishin shumë të zgjuar për kohën,” tha Anastasi./ Reuters

K.M/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?