Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka siguruar një mandat të katërt të paprecedentë në pushtet, pasi Partia Socialiste (PS) fitoi në zgjedhjet e së dielës, treguan të martën rezultatet zyrtare, megjithëse opozita pretendon se votat janë vjedhur.
Me 96% të votave të numëruara, Partia Socialiste kishte 52% të votave, përpara Partisë Demokratike (PD) që doli e dyta me 34%, sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nëse rezultati konfirmohet, PS fiton 82 nga 140 vendet në parlament, ndërsa PD merr 52 vende. Kjo do t’i siguronte Ramës një shumicë të rehatshme për të formuar qeverinë, duke zgjeruar shumicën e tij me katër vende.
Fitorja do t’i lejonte gjithashtu Ramës të vazhdojë përpjekjet për të mbajtur premtimin e tij për ta futur Shqipërinë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 – edhe pse shumë ekspertë e shohin këtë afat si tepër optimist, për shkak të reformave të mëdha që kërkohen, sidomos në luftën kundër korrupsionit.
Megjithatë, rezultati u shoqërua me dyshime. Vëzhguesit ndërkombëtarë vunë në pikëpyetje ndershmërinë e procesit zgjedhor, ndërsa Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se po heton 39 raste të lidhura me zgjedhjet, shumica për blerje votash. Nuk u saktësua se cilat parti janë në shënjestër.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër, i hodhi poshtë rezultatet dhe bëri thirrje për protestë më 16 maj – në të njëjtën ditë kur liderë nga e gjithë Evropa do të mblidhen në Tiranë për një samit.
“Ne nuk do t’i pranojmë kurrë këto zgjedhje – kurrë,” tha Berisha në një konferencë për shtyp të martën, duke akuzuar për manipulime pa dhënë prova publike.
Berisha vazhdoi me gjuhën e ashpër të fushatës, duke e quajtur Ramën një “narko-diktator”. Në një deklaratë për Reuters, PS-ja e Ramës mohoi çdo manipulim dhe e quajti Berishën, 80 vjeç, një “politikan komunist të vjetër dhe të dëshpëruar” një fyerje e veçantë në një vend që jetoi nën regjimin komunist për 50 vjet deri në vitin 1990.
FUQIA E RAMËS
Rama, në pushtet që nga viti 2013, ishte favorit për të fituar, falë një rrjeti të fuqishëm të krijuar gjatë 12 viteve në pushtet, rritjes së fundit ekonomike dhe një opozite të përçarë. Dy ditë para votimit, ai fali të gjitha gjobat e vendosura nga shteti nga viti 2015 deri në 2024 – përfshirë gjobat për trafik, ndërtim pa leje dhe shkelje të sigurisë. Qeveria nuk ka treguar sa është shuma e falur, por opozita pretendon se kap vlerën e 200 milionë eurove.
Megjithatë, përmasat e fitores i kanë habitur disa analistë, të cilët prisnin që skandalet e korrupsionit dhe trazirat e fundit të dobësonin pozitat e Ramës.
Përkundrazi, kjo fitore e thellë mund të zgjasë një periudhë stabiliteti të parashikueshëm në Shqipëri, në kontrast me vendet e tjera të Ballkanit si Kosova, Serbia dhe Bullgaria, ku partitë në pushtet janë përballur me kriza politike vitin e fundit.
“Asnjë nuk e priste një shumicë të kualifikuar për një parti të vetme. Është si (kryeministri hungarez) Orban në ditët e tij më të mira,” tha analisti politik Lutfi Dervishi.
Rama ka fituar simpati në Perëndim duke pranuar emigrantë nga Italia dhe duke strehuar afganë që presin vizat për SHBA-të.
Por në Shqipëri, shumë votues thonë se ai qeveris me një sistem patronazhi dhe nuk ka bërë mjaft për të luftuar papunësinë dhe korrupsionin, që përfshin edhe pastrimin e parave të drogës dhe armëve nga bandat shqiptare. Qindra mijëra shqiptarë janë larguar nga vendi që kur Rama mori pushtetin, në kërkim të një jete më të mirë jashtë.
Një mision ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve, i udhëhequr nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), tha se kishte pasur “përdorim të burimeve publike dhe fuqisë institucionale nga partia në pushtet” gjatë fushatës. Po ashtu u raportuan raste të shumta presioni ndaj punonjësve publikë dhe votuesve të tjerë, përfshirë edhe frikësime."/REUTERS
Komente
