Serbët në protestë në veri

‘Reuters’ shkruan për Kosovën: S'ka helikopterë, po i kërkon NATO-s që të transportojë një serb të arrestuar

23 Dhjetor 2022, 11:32| Përditesimi: 23 Dhjetor 2022, 11:38

  • Share

Agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”, ka raportuar për kërkesën e Kosovës ndaj KFOR-it që të transportojë përmes ajrit një ish-polic serb, i cili është arrestuar para dy javëve.

“Ai nuk po mund të dërgohet në ndonjë vend tjetër, për shkak se serbët lokalë, të cilët po e kërkojnë lirimin e tij, kanë vendosur barrikada për ta parandaluar transferimin e tij”- raporton agjencia “Reuters”.

Dejan Pantiqi u arrestua më 10 dhjetor nën akuzën për sulm ndaj zyrtarëve policorë gjatë një proteste të mëparshme. Tensionet janë rritur nga ajo kohë përderisa mijëra serbë të Kosovës po protestojnë, duke kërkuar nga qeveria me shumicë shqiptare e këtij vendi që t’i tërheqë forcat policore nga veriu, ku është e përqendruar pakica serbe.

Serbët lokalë, që janë rreth 50 mijë në pjesën veriore të Kosovës, përsëritën në një protestë të enjten se ata nuk do t’i largojnë barrikadat derisa të lirohet Pantiçi.

 “Ai (Pantiçi) duhet të jetë në një qendër ndalimi e jo në një stacion policor dhe, për këtë arsye, kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë që ta transferojnë atë në një objekt adekuat”- tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për gazetarë në Mitrovicë, vetëm disa kilometra larg barrikadës së parë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është forca e vetme që ka helikopterë. Kosova nuk ka helikopterë dhe i nevojitet leja e NATO-s për të marrë një në shërbim. KFOR-i tashmë ka transportuar përmes ajrit nëntë zyrtarë policorë ditëve të fundit, të cilët ishin të sëmurë, por pa mundësi për t’u larguar nga zona, pasi rrugët ishin të bllokuara. NATO-ja, e cila ka më shumë se 3,000 trupa në terren, tha se komandanti i KFOR-it është autoriteti i vetëm për të vendosur rreth hapësirës ajrore të Kosovës.

“Secila kërkesë që është refuzuar, është bërë për shkak se, në situatën e tanishme, nuk ishin kushtet e nevojshme të sigurisë”- tha KFOR-i në një deklaratë për agjencinë “Reuters”, pa treguar se çfarë kërkese është refuzuar.

Sveçla tha se policia e tij do të mund t’i largonte barrikadat, por se ai dëshiron që serbët lokalë ose trupat e NATO-s t’i largojnë ato.

 “Për hir të stabilitetit, ne jemi duke pritur që ato të largohen nga ata që i kanë vendosur ose nga KFOR-i, por edhe pritja e ka fundin e vet”- tha ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë më parë se njerëzit në barrikada janë të armatosur dhe çfarëdo ndërhyrje e policisë do të mund t’i lëndonte njerëzit nga të dyja palët.

Kryetarët e komunave me shumicë serbe, bashkë me gjykatësit lokalë e rreth 600 policë, dhanë dorëheqje muajin e kaluar në shenjë proteste kundër një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e veturave, të lëshuara nga Serbia, me ato që lëshohen nga Kosova./ Nacionale


Lajmi kryesor:

Komandanti i KFOR-it kërkon dialog për veriun e Kosovës: Të shmanget shfaqja e forcës dhe e provokimeve


K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?