Bota

Reuters: Shqipëria e vogël dhe ambicioze pret samitin gjigant europian

16 Maj, 16:19| Përditesimi: 16 Maj, 16:24

  • Share

15 maj (Reuters) – Liderët europianë zbarkuan të premten në Shqipëri për një samit që pritet të dominohet nga lufta në Ukrainë, por vendet e vogla të Ballkanit shpresojnë që edhe zgjerimi i Bashkimit Europian të jetë në qendër të diskutimeve në Samitin e Komunitetit Politik Europian.

Ngjarja, ku marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet ndërkohë që Ukraina dhe Rusia pritet të zhvillojnë bisedimet e para për paqe që nga ditët e para të konfliktit. Temat e tjera të diskutimit përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe migracionin. Por ky është gjithashtu një moment vendimtar për Shqipërinë, një nga vendet më të varfra të Europës me 2.4 milionë banorë, që ende po përpiqet të heqë qafe pasojat e dekadave të sundimit komunist shtypës dhe të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Vendi po përgatitet për fluksin e vizitorëve të premten. Aeroporti i vogël i Tiranës, i cili po i nënshtrohet një rikonstruksioni për shkak të bumit në rritje të turizmit, ka paralajmëruar se fluturimet mund të preken për shkak të trafikut të shtuar ajror, sipas një postimi në Instagram.

Kufizimet në qarkullimin rrugor në kryeqytet pritet të shtojnë më tej trafikun në unazën tashmë të tejmbushur. Edhe lëvizja në këmbë në qendër të zhurmshme të Tiranës, ku do të zhvillohet samiti në një tendë të madhe të sapongritur për konferenca, do të jetë e kufizuar.

“Kur sheh se sa larg ka arritur Shqipëria dhe që po organizon një takim të tillë me liderët e BE-së dhe Britanisë, është një kënaqësi ta shohësh këtë gjë,” tha Dritan Hoti, 46 vjeç, i cili ka jetuar vitet e fundit të komunizmit.

“Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, pavarësisht të gjitha problemeve që ka kaluar.”

Përpara se të anëtarësohet në BE, Shqipëria duhet të humbasë reputacionin e një qendre pastrimi parash për trafikantët e armëve dhe drogës, ku pak njerëz jetojnë në luks dhe shumë të tjerë në varfëri.

Transparenca politike është gjithashtu e rëndësishme pas zgjedhjeve të kontestuara, të cilat kryeministri Edi Rama i fitoi zyrtarisht me një diferencë të thellë, por që janë duke u hetuar nga prokurorët vendas dhe janë cilësuar si të manipuluara nga opozita.

Lideri i opozitës dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për një protestë paqësore gjatë zhvillimit të samitit të së premtes.

Sipas ekspertëve, marrëveshja e Ramës për të pranuar emigrantë nga Italia, për të rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe për të hapur vendin ndaj investimeve të huaja – përfshirë edhe atë të dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner – i ka përmirësuar gjasat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.

“BE-ja po kërkon një histori suksesi,” tha Andi Hoxhaj, ekspert për Ballkanin në King’s College në Londër. “Shqipëria dhe Mali i Zi mund të kenë një dritare mundësie, pasi të dy vendet janë shumë të vogla dhe nuk do të krijonin ndonjë ndikim apo presion të madh mbi BE-në.”

Shumëçka varet nga sa dëshirë kanë vendet e Ballkanit për t’u anëtarësuar. Hoxhaj tha se BE-ja ka humbur disi besueshmërinë në rajon, pjesërisht për shkak të vështirësisë së procesit të anëtarësimit.

Edhe Kosova dhe Serbia kanë aspirata për t’u anëtarësuar në BE, megjithatë një mosmarrëveshje e kahershme mes këtyre vendeve ka ngadalësuar progresin.

Kosova ndodhet nën sanksione të BE-së për shkak të rolit të kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në rajonin verior që kufizohet me Serbinë. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, këtë javë mori pjesë në ceremonitë përkujtimore të fitores në Luftën e Dytë Botërore në Moskë, pavarësisht kundërshtimeve nga Brukseli./ REUTERS

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?