Foto ilustruese

Revista britanike: Mafia shqiptare, koka e gjarprit të trafikut në Europë! Pikat më të forta janë disiplina dhe profesionalizmi i gangsterëve

15 Mars 2023, 09:14| Përditesimi: 15 Mars 2023, 09:35

  • Share

Revista britanike ‘The Spectator’ i ka dedikuar artikull mafies shqiptare duke e cilësuar si ‘kokën e gjarprit të trafikut të Europës’ për shkak të rrjetit të fuqishëm. Sipas tyre, bandat po zgjerohen çdo ditë e më shumë kryesisht në Gjermani, Belgjikë, Spanjë, Greqi, Francë, Luksemburg dhe tani në Britani.

‘The Specator’ i referohet policisë belge duke thënë se pikat më të forta janë ‘disiplina, besueshmëria dhe profesionalizmi i gangsterëve (dhe aftësia për t’u lidhur)… veçanërisht shpejt me organizatat e tjera kriminale’.

Shkrimi i plotë i “The Spectator“:

Amerika duhet të bëhet e ashpër kundër karteleve meksikane të drogës, deklaroi në fillim të këtij muaji, ish-Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, William Barr. Duke i krahasuar me ISIS-n, ai mbështeti një rezolutë të përbashkët nga dy senatorë republikanë, që i jep presidentit amerikan autoritet për të dërguar ushtrinë amerikane kundër karteleve në Meksikë.

Dështimi për të bërë këtë, paralajmëroi ai, do t’i lejonte kartelet të vazhdojnë të përmbysin SHBA-në me ‘drogat e tyre vdekjeprurëse në shkallë industriale’. Strategjia e Amerikës kundër drogës ishte e paefektshme, tha ai, ‘ajo e lë të paprekur zinxhirin e furnizimit të drogës… përparimi i vërtetë kërkon një sulm agresiv ndaj furnizimit me drogë në burimin e saj. Koka e gjarprit është në Meksikë’.

Europa duhet të zbatojë një qasje të ngjashme nëse dëshiron të zgjidhë krizën e emigrantëve. Marrëveshja e rënë dakord javën e kaluar mes Britanisë dhe Francës për të trajtuar krizën e anijeve të vogla në Kanal nuk do të ketë sukses më vete, sepse nuk e sulmon krizën në burimin e saj.

Rishi Sunak dhe Emmanuel Macron janë të vetëdijshëm për këtë. Në deklaratën e përbashkët të publikuar në përfundim të samitit të së premtes në Paris, kishte një zotim për të ‘forcuar shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin për një sërë kërcënimesh’, duke përfshirë këtu terrorizmin, trafikun e drogës dhe krimin e organizuar të lidhur me emigracionin.

Është e dukshme që ka pasur një ndryshim në retorikën e Sunak gjatë javëve të fundit. Qoftë gjatë seancës së pyetjeve, qoftë duke vizituar një qendër kontrolli në Dover apo duke folur në samitin anglo-francez në Paris, Sunak ka përsëritur se çelësi për të goditur krizën e emigrantëve është ‘thyerja e ciklit të bandave kriminale’.

Koka e gjarprit të trafikut të Europës është Shqipëria, rrjeti i fuqishëm mafioz i së cilës është përhapur në Perëndim prej dy dekadash. Vitin e kaluar, qeveria gjermane raportoi se kishte 40 banda shqiptare në vend, të cilat po pasuroheshin dhe po bëheshin më të dhunshme, ndërsa zgjeronin drogën dhe trafikun e njerëzve. Kjo prani përsëritet në Belgjikë, Spanjë, Greqi, Francë, Luksemburg dhe tani në Britani.

Pikat më të forta të mafies shqiptare janë, sipas policisë belge, ‘disiplina, besueshmëria dhe profesionalizmi i gangsterëve (dhe aftësia për t’u lidhur)… veçanërisht shpejt me organizatat e tjera kriminale’.

Një lidhje e tillë është me kartelet e drogës latino-amerikane, të cilat furnizojnë shqiptarët me kokainën që futet kontrabandë në Europë,” shkruan gazetari.

“William Barr tregoi se si kartelet meksikane përdorin taktikat e ryshfetit dhe terrorit për të ngulitur veten. Ky ka qenë edhe modus operandi i mafies shqiptare. Në vitin 2016, Europol, agjencia e BE-së për bashkëpunimin në fushën e zbatimit të ligjit, raportoi se 90 përqind e emigrantëve që arrinin në BE, përdornin një rrjet kontrabande, duke gjeneruar nga 5 deri në 6 miliardë dollarë për bandat kriminale. Duke punuar me mafian italiane, shqiptarët, sipas një instituti francez, kanë korruptuar mijëra nëpunës civilë, të cilët për këtë arsye mbyllin sytë ndaj cilësisë së letrave false apo edhe ndihmojnë në nxjerrjen e tyre”, thekson revista e njohur.

Komento

Komente

  • Linda: 15/03/2023 16:11

    Te kerkosh te mbulosh te verteten e emigracionit qe sjell vetem dhimbje dhe kullon gjak duke u justifikuar me trafikantet eshte pa aftesi e ligjit te emigracionit eshte nje deshtim !Propaganduesit qellimet e tyre te uleta kunder shqiptareve ti mbajn per vete!Kur shetit rrugeve te botes shqiptaret i shef me rroba pune me shkalle ndertimi, paisje pune ktl dhe se kuptoj kush jane keta qe i shofin si gjarperinj!!Shqiptaret nuk zvarriten gureve si gjarperinj po e kane zakon te fluturojn lart ne qiell si shqiponjat e liris!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?