Revista satirike franceze “Charlie Hebdo” ka sjellë në publik debatin e radhës me karikaturat e botuara këtë javë, duke pasuar edhe përplasje diplomatike me shtetin e Iranit. Satiristët francezë botuan karikatura të figurës kryesore fetare dhe politike në Iran Ali Khamenei nga satiristët francezë. Në përgjigje Teherani mbylli këtë të enjte një qendër kulturore franceze.
Agjencia “Reuters” raportoi se autoritetet iraniane thirrën të dërguarin e Francës në Teheran për të protestuar kundër karikaturës. "Republika Islamike e Iranit nuk pranon fyerjen e shenjtërive dhe vlerave të saj islame, fetare dhe kombëtare në asnjë mënyrë," i tha të mërkurën të dërguarit francez zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.
Duke reaguar ndaj ngjarjeve, ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna hodhi poshtë kërkesat iraniane, duke deklaruar se liria e shtypit sundon në Francë dhe se Irani duhet së pari të shikojë se çfarë po ndodh në shtëpi të vet përpara se të kritikojë gazetarët francezë.
Në dhjetor, revista nisi një konkurs karikaturash në mbështetje të luftës së iranianëve për lirinë e tyre, pas muajsh protestash të shkaktuara nga vdekja në paraburgim e Mahsa Aminit, një kurde iraniane që u arrestua për shkelje të kodit të rreptë të veshjes për gratë.
Autoritetet iraniane i kanë përshkruar protestat si "trazira" dhe thonë se qindra njerëz, përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë, janë vrarë dhe mijëra civilë janë arrestuar. Qeveria ka pretenduar se fuqitë e huaja armiqësore dhe grupet e opozitës po nxisin trazirat.
“Charlie Hebdo” i botoi karikaturat në një edicion special për të shënuar përvjetorin e një sulmi vdekjeprurës në zyrën e saj në Paris më, 7 janar 2015.
Përgatiti për Shqiptarja.com, Sebastian Zonja