Bota

Revista 'Time' i kushton kopertinën dhe një artikull të gjatë kryeministres italiane Giorgia Meloni: Ndër figurat më interesante në Europë

24 Korrik, 15:19| Përditesimi: 24 Korrik, 15:26

  • Share

Revista amerikane Time i ka kushtuar kopertinën dhe një profil të gjatë kryeministres italiane Giorgia Meloni, me titullin: “Ku po e çon Giorgia Meloni Europën”. Në portretin e saj, Meloni përshkruhet si një nga "figurat më interesante në Europë", e aftë të krijojë një "nacionalizëm të ri". Ajo cilësohet si "populiste, nativiste dhe pro-perëndimore, por e angazhuar në aleancat euroatlantike".

Kur erdhi në pushtet në tetor 2022, në krye të një lëvizjeje të themeluar nga besnikët e fundit të Benito Musolinit, kritikët në Itali dhe në Europë e panë retorikën e saj për krenarinë kombëtare dhe mbrojtjen e "civilizimit perëndimor" si shenja të një kthese ultranacionaliste për ekonominë e tetë më të madhe të botës. Presidenti amerikan Joe Biden e përmendi zgjedhjen e saj si një shembull të rrezikut që paraqet autoritarizmi për demokracinë globale.

"Meloni i ka habitur kritikët"

Megjithatë, shkruan autori i artikullit, Massimo Calabresi – shef i zyrës së Time në Uashington – Meloni i ka habitur kritikët. Në vend, ajo ka marrë qëndrime më qendrore mbi disa nga premtimet më radikale të fushatës së saj, si ideja për një bllokadë detare për të ndalur emigracionin ilegal. Në arenën ndërkombëtare, është sjellë më shumë si një konservatore pragmatike sesa si një revolucionare e së djathtës ekstreme.

Meloni ka përqafuar Bashkimin Europian, NATO-n dhe e ka mbështetur Ukrainën; ka tentuar të izolojë Kinën dhe ka punuar me kujdes për të rregulluar marrëdhëniet e tensionuara mes SHBA-së dhe Europës në fillimet e mandatit të dytë të Donald Trump-it.

Vlerësime nga liderë të krahëve të ndryshëm

Gjatë këtij rrugëtimi, kujton Time, Meloni "ka fituar respektin e liderëve të të gjitha prirjeve ideologjike, nga Biden te presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, deri te zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance". Aftësitë e saj, theksohet në portret, dolën në pah në mënyrë të qartë në mesin e prillit, kur ajo mbërriti në Uashington për një takim në Zyrën Ovale.

“Gjatë gjashtë muajve të parë të mandatit, Trump kërkonte të afirmonte veten si udhëheqës dominues duke ftuar krerë shtetesh në Shtëpinë e Bardhë, për t’i përballur publikisht dhe për të inskenuar demonstrime force. Vizitorët që nuk i përshtateshin këtij rituali të nënshtrimit e paguanin shtrenjtë, siç tregoi shpërthimi i 28 shkurtit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky”, shkruan Calabresi.

"Kur erdhi radha e Melonit – vijon artikulli – ajo bëri gjithçka për të shmangur ndonjë hap të gabuar". “Jam e shenjës së Bricjapit – i thotë ajo revistës – Le të themi që për disa gjëra jam shumë e vendosur”. Ajo kishte përgatitur një tufë fletësh me pozicionet e saj për çdo temë që mund të hapej, dhe "e kaloi testin publik me përmbajtje". Por momenti më domethënës, sipas Time, erdhi pas largimit të gazetarëve, kur biseda u përqendrua te lufta në Ukrainë.

Meloni mbrojti fuqishëm presidentin Zelensky dhe nevojën për ta mbështetur Ukrainën deri në fund. Trump e dëgjoi dhe reagoi, por pa e kthyer debatin në përplasje – rrëfen Meloni për Time. “Ai është luftëtar, dhe unë jam luftëtare”, thotë ajo.

"Italia është larg një regjimi autoritar"

Italia, sipas Time, është shumë larg qeverisjes autoritare që, sipas kritikëve të Melonit, ajo dëshiron të vendosë. Meloni, thuhet në artikull, “kërkon një sistem me një ekzekutiv më të fortë dhe mbështet një model demokratik që përfshin edhe partitë e ekstremit të djathtë, në vend që t’i përjashtojë nga fillimi”. Politikanë si J.D. Vance besojnë se ky është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga ngritja e autoritarizmit. Por kritikët e Melonit shohin rrezikun që bashkimi i blloqeve të djathta në Itali të çlirojë forca që vendi – dhe Europa – kanë përpjekur prej kohësh t’i mbajnë nën kontroll.

Meloni beson se kritikët e saj e kanë përdorur të kaluarën e saj të ekstremit të djathtë si armë kundër çdo politike që ndërmerr. “Më kanë akuzuar për gjithçka – thotë ajo – nga lufta në Ukrainë deri te njerëzit që vdesin në Mesdhe. Vetëm sepse nuk kanë argumente”. Por sulmet, e pranon ajo, e shqetësojnë dhe shpesh i risjell në vëmendje teksa ecën nëpër korridoret e Palazzo Chigi.

“Nuk jam raciste – shpjegon ajo – Nuk jam homofobe. Nuk jam të gjitha ato që thonë për mua”./ La Repubblica

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?