‘Revolta e Spaçit’ në maj ’73, Gjet Kadeli ngriti flamurin, Fetah Debrova donte t’u priste kokat, veshët, hundët/ Raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit

11 Shtator 2022, 07:25| Përditesimi: 11 Shtator 2022, 07:29

  • Share

Studiuesi dhe historian i njohur, Kastriot Dervishi, publikon dokumentet arkivore me raportet e Operativit të Sigurimit të kampit të Spaçit, Fejzi Liço. 

Më 21 maj 1973, i dënuari Pal Zefi (malësor me banim në fshatin Rrushkull të rrethit të Durrësit), refuzoi vijimin e dënimit në birucë. U largua forcërisht prej saj. Në solidaritet me të, filloi Revolta e Spaçit, tashmë e njohur në informacione të tjera. Raport-informacioni i mëposhtëm është një ekstrakt u përzgjedhur nga agjentura brenda kampit, që drejtohej nga punëtori operativ Fejzi Liço. Në rrjetin sekret bënin pjesë këto bashkëpunëtorë: “Zjarri”, “Shpata”, “Planeti”, “Kaike e bukur”, “Shigjeta e kaltër”, “Bakri”, “Zjarri” (2), “Pushka”, “Libri”, “Stilografi”, “Pisha”, “Vigjilenti”, “Qarri”, “Semani”, “Besa”, “Vullnetari”. Më poshtë po japim një ekstrakt i përzgjedhur dhe sistemuar nga raportimet e bashkëpunëtorëve, sipas dokumenteve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit.

 1-“Zjarri” raportonte: Jonuz Norja, ka marrë pjesë në revoltë, ka prishur stendat dhe derën e zyrës teknike. Ndrec Çoku, ka prishur stendat dhe ka bërë roje të flamuri. Hodo Sokoli ka thënë se: duhen zhdukur këta spiunët e Sigurimit. Fadil Dushku, pjesëmarrës në revoltë, fliste me të madhe: “ja vdekje ja liri”. Sami Dangëllia, bënte agjitacion e propagandë. Luan Burimi, është organizator i revoltës.

Ferit Avdullai ka thënë: “Poshtë spiunët e Zyrës Teknike që mbi tavolinë mbajnë foton e Enver Hoxhës”. Jonuz Norja, ka thënë: “poshtë komunizmi” dhe ka prishur stendën e emulacionit. Nebi Hoxha, ka thënë: “poshtë komunizmi! Këta na torturojnë ne nëpër burgje”.

Pal Zefi goditi me hekur përgjegjësin e Zyrës Teknike, Mehdi Doku. Pjesëmarrësit që i’u vërsulën shërbimit janë: Pavllo Popa, Jorgo Papa, Syrja Lame, Dashnor Kazazi, Luan Burimi, Muharrem Dyli, Stefan Kola, Mihal Kosta, Bardhyl Fejzollari.

Të dënuar që vjellin vrer shpeshherë me të rinjtë janë: Hodo Sokoli, Bebi Konomi, Muharrem Dyli, Sami Dangëllia, Sherif Allamani, Kostandin Papa, Luan Koka, Luan Burimi, Paulin Vata, Sulo Veshi, Dervish Sulo, Zef Ashta, Hajri Pashaj, Çaush Çoku, Bedri Çoku, Abedin Vrioni, Naim Ukshi, Refik Beqo, Dervish Bejko, Napolon Koleci, Irakli Simo, Fadil Dushku, Demir Pojani. Kanë hedhur parulla: “Poshtë komunizmi”, “poshtë Enver Hoxha”, “ushtarë hidhni armët”, “populli është me ne” “kooperativa u pret”, “bashkohuni kundër qeverisë”, etj.

2-“Shpata” raportonte: Gjet Kadeli ka ngritur flamurin, ndërsa Syrja Lamaj, u thërriste ushtrisë. Rexhep Lazri, element i rrezikshëm ka thënë mos dalim në punë. Dashnor Kazazi, Fadil Dushku, Pal Zefi, Muharrem Dyli, Syrja Lamaj,…kanë thënë se këta do na mbytin në dru, këta janë shkaktarë, kriminelë, etj. Te sheshi, qëlluan nënoficerin, Demir Pojani, Ulsi Pashollari, Luan Burimi, Fadil Dushku, Dervish Bejko. Kërkuan vijimin e revoltës.

3-“Planeti” raportonte:…Dervish Bejko tha se e kanë bërë sakat e nuk do më jetën… Latif Haxhiu, i tha zëvendësministrit (Feçor Shehu): “Po na mbani nga 25 vjet në burg more të poshtër”. I dënuari Havzi Nela, ka bërë agjitacion e propagandë. ka kërkuar lirimin dhe të mos punonin më në minierë.

 4-“Kaike e bukur” raportonte: Gëzim Medolli, tha se do na shtypin vetëm me gjak, por gjakun tonë do ta paguajnë shtrenjtë, gjaku ynë do ua hajë kokën, e kemi për nder të vdesim me ju. Fehta Dobrova, tha se ia kanë veshur nënën dhe motrat me të zeza, se ishin të poshtër që i mbanin aty. 

5-“Shigjeta e kaltër” raportonte: Kanë thyer birucat Skënder Thaçi, Luan Burimi (ky thirri “poshtë komunizmi”), ndërsa Bedri Çoku, thoshte se ushtria është me ta, ja vdekje ja liri. Ishin shkruar parulla: “gjithë bota është me ne”. Kur erdhi zëvendësministri, të dënuarit Skënder Daja, Dashnor Kazazi, Jorgo Papa, Luan Burimi, Syrja Lame, Fadil Dushku, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj, kanë thirrur: “Ja vdekje-ja liri”, “ushtria është me ne”.

Gëzim Çela dhe Kostandin Papa, duke biseduar në prani të të dënuarve, thanë të ndaheshin në grupe. Iljaz Sulejmani, thoshte të thyenin birucat e kampit. Flamurin e ka ngritur Rexhep Lazri, ndërsa shkon Mersin Vlashi…!

6-“Shpata” raportonte: Fadil dushku vinte nëpër dhoma dhe bënte zgjimin duke thënë: “çohuni çuna se u ngrit flamuri, doli drita”. Me këtë kanë qenë Luan Burimi, Rexhep Lazri, Dashnor Kazazi, Jorgo Papa, të cilët thërrisnin: “Rroftë Shqipëria e lirë. Këta do na trajtojnë kështu gjithë jetën. Kanë mbushur burgjet me njerëz” dhe masa bënte urra. Skënderi u bënte thirrje ushtarëve, të mos qëllonin se ishin vëllezërit tanë.

I dënuar S.T. i thotë Pal Zefit: “Ti qenke armik”. Pali i tha: “Po jam armik dhe kështu do vdes”. Në rrahjen e nënoficerit, kanë marrë pjesë: Çaush Çoku, Bedri Çoku, Filip Jonica, Brahim Buzi, Syrja Lame, Niazi Bylykbashi, Gjon Prendi, Bardhyl Fejzollari, Skënder Daja, Jorgo Papa, Prend Dema, Pavllo Popa dhe Muho Curri. Ky foli se nuk punojmë në minierë, se na morën jetën.

Ndërsa, Sami Dangëllia, Shefqet Asllani, Hodo Sokoli dhe Luan Burimi, biseduan gjithë natën. Aty ishte Luan Koka që ëndërronte t’i ktheheshin dyqanet e humbura (konfiskuara). Murat Marta, i dha atij fotografinë e Ismail Qemalit, duke e ftuar të mbante këtë, ndërsa atë tjetrin (Enverin), ta mbante në nevojtore.

7-“Bakri” raportonte: Në revoltë kanë marrë pjesë Xhemal Bali, ka hedhur parulla kundër pushtetit dhe partisë. Ka hedhur parullat: “Ja vdekje-ja liri”, “Shumë kemi duruar në thonjtë e këtyre maskarenjve”. Mersin Vlashi, ka marrë pjesë në bërjen e flamurit.

Feti Kumanaku, ka dhënë bezen për flamurin. Gjet Kadeli ka ndihmuar për montimin e flamurit. Gjon Prendi, Fran Gega, Ndue Prendi, kanë marrë pjesë duke hedhur parulla për: “Shqipërinë e lirë”, “flamurin pa yll”. Ylber Darova, ka marrë pjesë në revoltë, jepte udhëzime në krevatin e tij, Dervish Bejkos dhe Fejzi Pashajt.

Hysen Xhani ka hedhur parulla kundër partisë, ka qenë i aktivizuar për të nxjerrë sa më shumë të dënuar të pakënaqur…Fetah Debrova, është organizatori për prishjen e stendave të emulacionit. Ka graduar pjesëtarët e revoltës…! Ferit Avdullaj, ka dashur t’u presë hundën dhe kokat personave që punojnë në prapavijë, u ka bërë thirrje ushtarëve të hidhnin armët se populli e ushtria ishin me ta.

8-Pushka raportonte: Të dënuarit Syrja Lame, Pavllo Popa, Luan Burimi, Muharrem Dyli, kanë shtyrë të dënuarit të shajnë policët. Syrjai iu drejtua të dënuarve dhe u thotë: “Ç’prisni pse rrini?! Pse keni frikë karshi këtyre qenve”, dhe vijoi: “poshtë komunizmi”, “poshtë partia”, “këtë që po bëni ju, nuk e ka bërë as nazizmi”.

U bëri thirrje ushtarëve: “Në kooperativa punoni për 5 lekë. Këta na kanë dënuar familjet”. Më kryesorët janë: Syrja Lame, Dashnor Kazazi, Pal Zefi, Luan Burimi, Skënder Daja, Ndrec Çoku, Jorgo Papa, Hasan Kolti./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arben: 11/09/2022 09:50

    Qysh kur njerezimi krijoi rregullat per te jetuar ne bashkesi, ka egsistuar dhe do te egsistoje e drejta e te menduarit ndryshe. Pikërisht nevoja per te bashkëjetuar me këto rregulla krijoi dhe burgjet. Ka nje diference te madhe ndërmjet të qënit dakort, ose jo, me sistemin ku jeton, dhe, zbatmit, ose jo, te ligjeve te vendit ku jeton. Sfida është që edhe kur nuk je dakort me të parën, te mos shkosh kunder me te dyten. Te luftosh per idete e tua, brenda hapsires dhe mundësive që te lejojn ligjet dhe qeverite e vendit ku ti jeton, është ajo që duhet te bëjë cdo qytetar i civilizuar i kesaj bote. Revolta e Spacit është si te gjitha revoltat e të burgosurve ne te gjiha sistemet. Por kjo nuk do te thote qe te gjitha sistemet duhen rrëzuar. Lufto per idete e tua duke respektuar ligjin. Vallë a e bënë këta te burgosur këtë? Kush ishte ne anën e duhur te civilismit njerzor, te burgosurit e Spacit, apo kerkuesit e zbatimit te ligjit? Te mos nxjerresh mesime nga historia eshte mediokritet, duke kaluar nga njeri eksterm tek tjetri do te sjelli edhe me shume viktima se heren e pare. Te burgosurit ishin viktima te atij sistemi, dhe jo heronj. Kastriot me zellin e tepruar tendin po bën te njetin gabim qe benin dikur te zellshmit e atij sistemi, që u kerkonin te burgosurve te donin sistemin e asaj kohe, dhe jo te ishin sbatues te ligjeve te asaj kohe. Kujto ate qe ka thene Curcilli per sistemet politike, " ... sistemi që kemi nuk është me i miri, por me te mirin qe kemi ... ". Me këto shkrime qe ben, po demoralizon njerzit aktuale ne organet ligjzbatuese, dhe jo nxjerrjen e gabimeve te sistemit te kaluar. Sistemin e kaluar Shqiptarët e denuan me votë, dhe do te vazhdojne ta denojne me vote, ti me mediokritetin tend, mos bëj viktimat e dikurshme (te burgosurit politik), te duken si heronje , dhe te krijosh demoralizem tek ligjzbatuesit e sotem, duke demtuar sistemin politik ku jemi sot, sepse vetem ligjzbatuesit e te gjitha sistmeve, jane heronjte e vertete te popullit dhe njerzimit.

    Përgjigju
    • Delinquenti: 11/09/2022 12:05

      Koment shum i drejt dhe i sakt por e keqja me e modhe eshte se sot po e kuptojne mrapsh çdo gjo. POR GJITHMON KA DHE NJE "POR" SE SIÇ ESHTE AJO THENJA E CURCILL ESHTE DHE AJO TJETRA po e them shqip se nuk du ta keqkuptojn qe " HISTORINE E SHKRUAN FITIMTARI" te tjerat nuk po I them mo se me kaq besoj se kuptohemi...

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?