Ndërsa këto ditë maji përkujtohet 45-vjetori i Revoltës së Spaçit, e cilësuar nga shumëkush me të drejtë si e vetmja përpjekje e organizuar disidente, e konsumuar në kulmin e fuqisë së regjimit diktatorial në Shqipëri, m’u duk mëse e vlefshme të sillja një raport të organizatës më të madhe e më të respektuar të mbrojtjes e monitorimit të të drejtave të njeriut sot në botë, emrin e të cilës shqiptarët do ta njihnin e mësonin mirë vetëm pas rënies së regjimit në vitet ‘90. Ndërsa së brendshmi, Sigurimi i Shtetit dhe të gjitha levat e ish-partisë së Punës po luanin të gjithë gurët për të shtypur “pasojat” e kësaj revolte që tronditi themelet e një pushteti gjakatar, së jashtmi bëheshin gjithashtu shumë përpjekje që bota të mos merrte vesh asgjë në lidhje me atë që ndodhte në vendin më të izoluar të Europës.
Kështu, nëse hulumton sot në arkivat e saj, rezulton se "Amnesty International" në dhjetor 1984, i paskësh dërguar një raport të veçantë qeverisë shqiptare mbi çështjen e të burgosurve politikë ( të ndërgjegjes) , trajtimit të tyre në burgjet e kampet e punës, dhe informacione të tjera në lidhje me aplikimin dhe formën e legjislacionit penal në Shqipëri. Raporti shoqërohej edhe me kërkesën për të bërë komente publike rreth tij. “Nuk është regjistruar ndonjë përgjigje rreth këkesës në fjalë”. Kështu shprehej në pjesën e fundit të raporit të saj vjetor, në vitin 1985, organizata e famshme e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në kapitullin ku flitej për Shqipërinë.
Në fakt bëhej fjalë për një raport të detajuar me shifra e fakte, me titull: "Shqipëria: Burgosjet politike dhe legjislacioni", i cili ishte një akuzë e hapur për qeverinë e Tiranës, e që në raportin vjetor citohej vetëm si përmbledhje e atyre çka raporti i mësipërm paraqiste në mënyrë të detajuar. Ndërsa tenton të japë shifra e fakte rreth gjendjes së të drejtave të njeriut, burgjeve e keqtrajtimit, apo moskujdesjes ligjore ndaj shtetasve të vet, organizata prestigjoze, (raporteve të së cilës sot i bëhet shumë jehonë e shërbejnë si barometër i parapëlqyer për opozitat në vendet demokratike e ato ish-socialiste për të vënë "me shpatulla pas muri" qeveritë në pushtet), rreket të të sjellë gjetjet kryesore për vitet e fundit të regjimit komunist në Shqipëri, deri në atë kohë.
Diku ajo thekson se: "Shqipëria nuk ka ratifikuar konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe kushtetuta e saj justifikon kufizimin e disa të drejtave të njeriut me arsyetimin se 'të drejtat e qytetarëve, janë të pandashme nga ato të rendit socialist'.
Ajo që të bie në sy në atë raport, është fillimisht një rritje e aksesit në informacion rreth gjendjes së të drejtave të njeriut në vendin më të izoluar të kontinentit, sidomos kur këtë e krahason me një raport të dhjetë vjetëve më parë, i cili përmblidhte fakte e dëshmi për dy vitet, 1974-'75 ( në një mënyrë fare të shkurtër) dhe ku referencat merreshin vetëm nga dëshmitë e një ish-të arratisuri me origjinë greke, duke u justifikuar me faktin se: Gjatë viteve 1974-1975, "Amnesty International" është përpjekur të marrë informacion mbi burgosjet politike në Shqipëri, por ka rezultuar tejet e vështirë për shkak të izolimit të vazhdueshëm të vendit nga bota e jashtme. Viti 1985, është edhe viti kur në Shqipëri kishte vdekur diktatori e kur vetëm shumë pak kohë më parë, sapo ishin konsumuar edhe fazat më të fundmit të eliminimeve më të bujshme në historinë e pasluftës në Shqipëri.
Kjo ishte shoqëruar edhe me një amnisti të konsiderueshme për kohën, në vitin 1982, e cila reflektohet edhe në raportin e "Amnesty International", duke pohuar nga ana tjetër se faljet e bëra nga amnistia, ishin "kompensuar" me dënimet e atyre që cilësoheshin si "mbështetësit e ish-pushtetarëve" të dënuar për "tradhëti", duke aluduar mbi valën e gjerë të arrestimeve e të burgosjeve pas eliminimeve të M.Shehut e K.Hazbiut. Më poshtë po botojmë raportin e plotë të "Amnesty International" (1985), e më konkretisht, kapitullin ekskluziv për Shqipërinë.
***
RAPORTI I "AMNESTY INTERNATIONAL" PËR SHQIPËRINË, 1985
"Amnesty International" ka qenë e shqetësuar rreth gjendjes së të burgosurve të ndërgjegjes, të mbajtur të izoluar nën një legjislacion, i cili në mënyrë të vazhdueshme, kufizon të drejtat e njeriut: mungesa e garancive ligjore për personat e arrestuar dhe të gjykuar për krime politike, pretendime për keqtrajtime të të dënuarve dhe kushte të vështira të kryerjes së dënimit. Organizata mbetet e shqetësuar rreth numrit të shkleljeve për të cilat mund të jepet dënimi me vdekje, por nuk ka mundur dot të informohet për ndonjë ekzekutim gjatë vitit të shkuar.
Në një raport të publikuar në dhjetor 1984, me titull: "Shqipëria: Burgosjet politike dhe legjislacioni" ( Albania: Political Imprisonment and the Laë), "Amnesty International" bën me dije shqetësimet e saj në këtë drejtim. Raporti thekson se duke hasur në çensurë zyrtare dhe kufizime në lirinë e lëvizjes, "Amnesty International" ka qenë e pamundur të sigurojë akses të mjaftueshëm mbi numrin e të burgosurve politikë që mbahen në burgjet shqiptare. Sipas dëshmive e raporteve të të burgosurve politikë në vitet '70 e '80 dhe informacionit të mbledhur, tregohet se atje ka shumë të burgosur të ndërgjegjes. Gjithsesi, organizata beson se ky ka qenë vetëm një fraksion i vogël i numrit total të të burgosurve politikë në Shqipëri.
Reduktim i të burgosurve pas amnistisë së 1982
Sipas këtyre dëshmive të ish-burgosurve politikë në Shqipëri, përafërsisht mund të thuhet se në kampin e punës së Ballshit, gjendeshin rreth 1200 të dënuar politikë para se një amnisti e përgjithshme të hynte në fuqi në këtë vend, në vitin 1982. Shifra të afërta raportohen edhe për Kampin e Spaçit. Përveç tyre, 300 të burgosur të tjerë politikë raportohet se mbahen në burgun e Burrelit në vitin 1982, dhe gjithashtu kontigjente të tjera të të burgosurve gjenden edhe në lokalitete të tjera si në Torovicë, Kosovë dhe në Tiranë.
Pas amnistisë së vitit 1982, raportohet se numri i të dënuarve në të dyja kampet e punës të sipërpërmendura, është reduktuar, megjithëse "Amnesty International" ka marrë dëshmi se janë kryer arrestime të tjera që lidhen me mbështetësit e disa zyrtarëve të vjetër të dënuar e të arrestuar në vitin 1982. Shqipëria nuk ka ratifikuar konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe kushtetuta e saj justifikon kufizimin e disa të drejtave të njeriut me arsyetimin se " të drejtat e qytetarëve janë të pandashme nga ato të rendit socialist".
Në burg për ushtrim jo të dhunshëm të të drejtave bazë
Në praktikë, shumë njerëz janë burgosur për ushtrimin jo të dhunshëm të të drejtave bazë të njeriut, duke i mbarsur me akuza të ndryshme të montuara, siç është edhe" agjitacion e propagandë kundër shtetit", apo "sabotazh" dhe "tradhëti". Kodi penal sanksionon se target i tij kryesor mbeten krimet politike e ato ideologjike dhe se koncepti i drejtësisë selektive për individët, refuzohet qartë në tekst. Neni 55 mbi "agjitacionin e propagandën" kundër shtetit e bën shprehjen e pikëpamjeve kritike rreth kushteve ekonomike e atyre politike, edhe kur ai konsumohet në mjedise e biseda private, apo mbajtjen e literaturës që përmban pikëpamje që shkojnë në këtë drejtim, të dënueshme deri në 10 vjet burg. Nëse akti kryhet në kohë lufte, apo kur gjykohet se ka pasoja " veçanërisht të rënda", dënimi mund të shkojë nga 10 deri në 25 vjet, apo dhe në atë maksimal, me vdekje.
Neni 47 dhe “arratia ilegale”
Njerëzit e arrestuar nëse përpiqen të arratisen nga vendi në mënyrë ilegale, përballen me pasojat e nenit 47, që bën fjalë për "tradhëti" apo "arratisje nga shteti" dhe "refuzim për t'u kthyer në atdhe nga ana e personit të dërguar me shërbim apo të lejuar përkohësisht të largohet jashtë shtetit". Këto akte janë të dënueshme me jo më pak se 10 vjet burg, apo edhe me vdekje. "Amnesty International" ka marrë raporte të të burgosurve që kanë kryer dënime deri në 25 vjet, sepse kishin ushtruar të drejtat e tyre të lirisë apo se kishin tentuar të linin vendin (arratiseshin) pa leje zyrtare.
Përveç burgosjes, kodi penal parashikon edhe dënime suplementare si internimi ( zakonisht në një fermë shtetërore, apo një ndërmarrje prodhimi), duke ia nisur me një periudhë prej jo më pak se 5 vjet. Ky dënim mund të shlyhet në mënyrë administrative, pa gjyq, dhe të ushtrohet për periudha të pacaktuara për njerëz të konsideruar nga autoritetet si "veçanërisht të rrezikshëm" për rendin socialist të vendit dhe mbi anëtarë të familjeve të të arratisurve që jetojnë brenda apo jashtë vendit. "Amnesty International" ka mësuar mbi ekzistencën e një numri të konsiderueshëm të këtyre rasteve në vitet e fundit.
Dëshmitë e të burgosurve për AI
Raporti i "Amnesty International" mbi Shqipërinë fokusohet gjithashtu edhe në mungesën e garancive ligjore për të burgosurit politikë gjatë kohës së marrjes në pyetje dhe procedurave të dënimit, si dhe në mungesën e të drejtave për të takuar të afërmit apo për të kërkuar mbrojtje ligjore gjatë kohës së hetimit e gjykimit. Pothuajse të gjithë të burgosurit politikë, të cilët kanë dhënë dëshmi për "Amnesty International", kanë pohuar se gjatë hetimeve, ata janë mbajtur në qeli të vogla e të errëta.
Shumë prej tyre pretendojnë se u është dashur të flenë ose direkt në dysheme, në çimento, ose në tokë me batanije, por jo me shtrat. Ata janë ankuar se u është dhënë shumë pak për të ngrënë dhe se janë lejuar pak ose aspak të dalin jashtë për ajrosje. Shumë prej tyre pohojnë se u është mohuar aksesi për të takuar familjarët e tyre dhe në këshillimet ligjore. Ata thonë gjithashtu se janë hetuar çdo ditë për periudha të gjata kohore e disa të tjerë se janë hetuar edhe netëve dhe janë privuar nga gjumi. Shumë prej tyre pretendojnë se janë rrahur e torturuar gjatë marrjes në pyetje.
Prej vitit 1967, është hequr institucioni i avokatisë
Qysh prej vitit 1967, institucioni i avokatisë është hequr në vend dhe raportet mbi gjyqet politike në vitet e fundit tregojnë se shumë të akuzuarve nuk u është lejuar asistenca ligjore dhe u është dashur ta mbronin vetë veten. "Amnesty International" është në dijeni të vetëm një rasti qysh prej vitit 1967, në të cilin një gjykatë i kishte siguruar një qytetari shqiptar të moshës madhore, i akuzuar për krime politike, shërbimin e asistencës ligjore. Nuk dihet në asnjë rast tjetër të gjyqeve politike, në të cilat, të akuzuarit t'u jetë ofruar një ndihmë e tillë. Publikimi përfshin edhe raporte mbi kushtet e kampit të Spaçit e atij të Ballshit, kushtet e të cilave janë përshkruar si "të vështira", me standarde shumë të ulëta të të ushqyerjes, higjienës dhe kujdesit shëndetësor.
Në vitin 1967, Shqipëria u shpall zyrtarisht "shtet ateist" dhe të gjitha vendet e kultit u mbyllën. Shumë njerëz u burgosën në vijim apo u internuan me akuzat se po ushtronin aktivitet religjoz, sipas raporteve të mbledhura nga "Amnesty International". Mes tyre ishin edhe Fran Mark Gjoni, i cili thuhet se ka qenë dënuar me 12 vjet burg në vitin 1977 për posedim të biblës dhe një prift jezuit nga Mali i Jushit, pranë Shkodrës, i cili raportohet të ketë qenë burgosur në vitin 1980 pas pagëzimit të një fëmije të një kushëriri të tij.
Qeveria shqiptare, e shurdhët ndaj AI
"Amnesty International" ia ka dërguar raportin e saj qeverisë shqiptare në dhjetor 1984, bashkë me kërkesën për të bërë komente publike rreth tij. Nuk është regjistruar ndonjë përgjigje rreth këkesës në fjalë. Në kodin penal, dënimet me vdekje mund të parashikohen për kryerjen e 34 veprave penale, duke përfshirë këtu edhe 12 politike si dhe 11 ushtarake. Dënimi me vdekje mund të mos ekzekutohet në kohë paqeje për një numër veprash politike jo të dhunshme, duke përfshirë "arratisje nga shteti" ( Neni 47): "agjitacion e propagandë antishtetërore", kur kjo nuk ka pasoja të veçanta të rënda ( Neni 55): "krijimi i organizatave kundërrevolucionare apo pjesëmarrja në to" (Neni 57): dhe "fshehje e një personi që kryen krime kundër shtetit" në "rrethana veçanërish të rënda" ( Neni 59). Gjithsesi, asnjë shifër zyrtare nuk është bërë e ditur mbi ekzekutimet me vdekje dhe nuk ka asnjë raport mbi vendimet me vdekje apo ekzekutimet, që t'i kenë ardhur "Amnesty International" në vitin1984.
RAPORTI I "AMNESTY INTERNATIONAL" PER SHQIPERINE, 1974-75
"S'e dimë numrin e saktë të të burgosurve"
Gjatë viteve 1974-1975, "Amnesty International" është përpjekur të marrë informacion mbi burgosjet politike në Shqipëri, por ka rezultuar tejet e vështirë për shkak të izolimit të vazhdueshëm të vendit nga bota e jashtme. Një përpjekje e "Amnesty International", pranë ambasadës shqiptare në Berlinin Lindor, rezultoi gjithashtu e pafrytshme. Një ish-i burgosur me origjinë greke, gjithsesi, ka sjellë më shumë detaje mbi një kamp pune në Ballsh, ku mbahen 100 të dënuar. Ai kishte kaluar më shumë se një vit në atë kamp para se të arratisej në ishgullin grek të Korfuzit në vitin 1972. Është e pamundur të vlerësohet numri total i të burgosurve politikë në Shqipëri, por shifrat e pohuara nga emigrantët shqiptarë që shkojnë deri në 300. mijë, duken paksa të ekzagjeruara.
Numri i të burgosrve të ndërgjegjes besohet se është veçanërisht i lartë në Shqipëri, ku performanca e riteve religjoze është ilegale dhe e dënueshme me forcë. Internimet e dëbimet nëpër kampe pune janë një praktikë e zakonshme dhe e aplikuar në mënyra të ndryshme për ata që guxojnë të dalin jashtë vijës së Partisë Komuniste. Në vitin 1975, "Amnesty International", ka marrë raporte mbi emrat e gjashtë shkrimtarëve e artistëve të njohur shqiptarë, akoma të burgosur apo të dërguar për riedukim në kampet e punës. Shqipëria, gjithsesi mbetet një shoqëri thuajse tërësisht e kolektivizuar, për të cilën pak dihet mbi çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut.