Revolucion për ‘McGonigal’? Elvis Iljazaj: Shqiptarët e shohin më shumë si hall të politikës e jo të tyrin! Hasimja: Asnjë problem elektoral për Ramën, s'ka puritanizëm

21 Shkurt 2023, 19:20| Përditesimi: 21 Shkurt 2023, 19:38

  • Share

Sali Berisha e ka marrë çështjen ‘McGonigal’ dhe ka nisur një varg protestash të cilat thotë se janë një revolucion për të larguar Ramën. Për analistët Ermal Hasimja dhe Ervis Iljazaj, të ftuar në ‘Studio Live’ në Report Tv të gazetarit Arbër Hitaj, kjo çështje nuk shikohet nga shqiptarët që t’i prekë drejtpërdrejtë apo akoma edhe më shumë të revoltohen për këtë.  Gazetari Elvis Iljazi thotë se për shqiptarët më shumë kjo shikohet si ‘një hall i politikës’ sesa i tyre.

‘Sigurisht që përbën një problem për Ramën çështja ‘McGonigal’ në aspektin politike. Emri i tij është përfshirë në një gjyq në SHBA dhe është në të gjitha mediat më të rëndësishme amerikane.  Unë kam besim nga drejtësia amerikane dhe nëse ka ndonjë që është përfshirë Rama sigurisht që do të dalë. Por në thelb edhe për imazhin e vendit nuk është e mirë një ngjarje e tillë. Si kauzë e opozitës mund të them që është larg problemeve të qytetarëve shqiptarë pasi për ta, këto janë halle të politikës dhe jo të tyre”, tha ai.

Ndërkohë që Ermal Hasimja thotë se dëmi për mazhorancën më së shumti do të jetë në marrëdhëniet me SHBA-të nëse vërtetohet ndonjë lidhje e Ramës me McGonigal por nuk mendon se ka ndikim elektoralisht në Shqipëri.

“Dëmi më i madh tek mazhoranca është psikologjik. Krijon një lloj pështjellimi. Por jo domosdoshmërish në raport me votuesit,. Janë të kapur në një sistem klientelist shumë të fortë. Dëmi në radhë të parë është më SHBA-të.  Nëse hetimi do të vërtetojë nëse ka përgjegjësi z. Rama do ta komplikojë marrëdhënien në raport me SHBA-të më tepër sesa me Partinë Demokratike.  Është shumë e vështirë të presësh që shqiptarët të skandalizohen më tepër nga përpjekja e supozuar z. Rama për të korruptuar një zyrtar amerikan sesa nga vjedhjet dhe korrupsioni.  Disa edhe mund të thonë se ‘sa i zoti ky kryeministri jonë që arriti të korruptojë edhe një amerikan’.  Nuk mund të presim nga elektorati një lloj puritanizmi të tillë”, tha Hasimja.

I pyetur për çështjen e regjistrimit të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit, Iljazaj tha se është skandaloz fakti që gjykata e ka zvarritur kaq shumë këtë çështje.

“Turp kjo që ka ndodhur me zgjatjen e gjyqit për Partinë Demokratike. Unë nuk e di ku e gjen guximin një gjykatë që e zvarrit kaq shumë një çështje që duhet të jetë prioritet kombëtar. Nuk ka justifikim gjykata për këtë gjë. Nga ky vendim varet edhe çështja e demokracisë në Shqipëri. Për këtë duhet të jemi të gjithë të qartë. Deri tani gjykata e ka dëmtuar demokracinë, duke i dhënë një avantazh mazhorancës”, tha Iljazaj në Report Tv.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?