Protestat në Iran

‘Revolucioni është ende gjallë’, Gratë dhe vajzat në Iran vijojnë me protestat kundër qeverisë

12 Mars 2023, 15:28| Përditesimi: 12 Mars 2023, 15:30

  • Share

Me muaj të tërë Assal u shfaq në publik pa hixhab në shenjë solidarizimi me protestat kundër qeverisë që tronditën Iranin.

Këto protesta filluan vrullshëm në shtator të vitit të kaluar ku pati edhe vrasje. Edhe pse këto protesta janë shuar gradualisht në javët e fundit, banorja e Tehranit ende vazhdon të shkelë ligjin për vendosje të detyrueshme të mbulesës, si shenjë e sfidimit të drejtpërdrejtë ndaj regjimit klerik të Iranit.

“Dua t’u tregoj [autoriteteve] se revolucioni është gjallë, duke vazhduar dhe se njerëzit tanë do të luftojnë me ta [autoritetet] në çdo mënyrë”, tha 32-vjeçarja, mjeke obstetër, për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, e cila kërkoi që emri i saj i plotë të mos përdoret për arsye sigurie.

“Të ecësh pa mbulesë në një qytet të mbushur me policë, nuk është gjë e lehtë. Më dridhet trupi nga frika, por unë kurrë nuk do të dorëzohem. Do të vazhdoj të protestoj”, shtoi Assal.

Një tjetër banore e Teheranit, Tanya, tha se gratë janë duke e larguar mbulesën si shenjë e qëndresës kundër institucionit klerik që i ka privuar nga të drejtat e tyre më elementare, duke përfshirë të drejtën për të zgjedhur se si shfaqen në publik.

“Gratë e shohin si të drejtë të tyre absolute, një e drejtë e cila iu është mohuar me vite... Unë po protestoj për status quo-në”, tha psikologia, e cila po ashtu kërkoi që emri i saj të mos publikohet.

Assal dhe Tanya janë vetëm dy nga grupi i grave iraniane që po shfaqen në publik me flokët e tyre të pambuluara, paraqitje kjo e bërë e

Ato janë inkurajuar nga protestat kundër regjimit në të cilat gratë luajtën një rol të madh.

Demonstratat filluan pas vdekjes në paraburgim më 16 shtator të 22-vjeçares Mahsa Amini, pasi ajo u arrestua nga policia e ashtuquajtur morale e Iranit për dyshime se kishte shkelur ligjin e hixhabit.

Protestat lëkundin Iranin pas vdekjes së gruas së arrestuar nga policia e moralit

Protestat filluan si një reagim kundër zbatimit të ligjit të ashpër të hixhabit, por shpejt u shndërruan në një nga protestat më masive kundër regjimit-teokracisë së Iranit, me demonstruesit që kërkonin t'i jepej fund kontrollit klerik dhe kufizimit të lirive të tyre sociale dhe politike.

Gratë dhe vajzat hoqën dhe dogjën shamitë gjatë protestave. Me zbutjen e protestave, pas një goditjeje nga shteti që la mbi 500 të vdekur, gratë po shprehin zemërimin e tyre përmes akteve të mosbindjes civile.

Sipas Leyla Mirghafarit, një aktiviste për të drejtat e grave në Teheran, protestat kundër këtij detyrimi kanë rritur kundërshtimin e grave ndaj hixhabit, një nga shtyllat kryesore e republikës islamike.

Mirghafarit, e cila u arrestua në vitin 2018 për heqjen e shamisë së saj në publik, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë iranianë janë të lodhur nga "ligji i padrejtë, represiv dhe kundër grave".

Protestë në Gjermani në përkrahje të protestave në Iran. Fotografi ilustruese nga arkivi.Dy vjet pas Revolucionit Islamik më 1979, shamia u bë veshje e detyrueshme. Vajzat mbi nëntë vjeç dhe gratë duhet t'i përmbahen legjislacionit dhe të mbulojnë flokët në publik.

Me kalimin e viteve, shumë gra e kanë thyer rregullin dhe kanë shtyrë kufijtë e asaj që shoqëria e konsideron të përshtatshme, veçanërisht duke veshur mbulesa më të vogla ku mund të shihen flokët, si dhe mbulesa me ngjyra të ndryshme. Si asnjëherë më parë, shumë gra protestuan kundër ligjit të hixhabit më 2018 duke qëndruar para kutive të shërbimeve në qytetet e mëdha dhe duke valëvitur shamitë e tyre.

Zbatimi i ligjit të hixhabit ra dukshëm gjatë udhëheqjes së presidentit Hassan Rohani, një figurë relativisht moderne në qeveri nga viti 2013 deri më 2021. Por, nën ultrakonservatorin Ebrahim Raisi, policia morale e Iranit ka rritur aktivitetin e saj dhe ka përdorur më shumë forcë për të zbatuar atë që ata e kanë quajtur "hixhabi total".

Mahsa, nënë e dy fëmijëve, tha se edhe në qytetin e shenjtë të Mashhadit, një numër në rritje i grave po shfaqet në publik pa hixhab.

“Unë shkoj në pazar pa shami, e mbaj rreth qafës. Por, të rinjtë janë të patrembur. Disa nuk kanë as shami në kokë”, tha për Radion Evropa e Lirë Mahsa, e cila kërkoi që emri i saj i plotë të mos përdoret nga frika e hakmarrjes.

Autoritetet në dhjetor deklaruan se policia e moralit, e cila zbatoi kushtin e hixhabit, është shpërbërë. Megjithatë, ata lëshuan një paralajmërim se gjyqësori do të vazhdojë të kontrollojë se si gratë sillen dhe shfaqen në publik.

Zyrtarët kanë paralajmëruar së fundmi se do t’i penalizojnë ata që shkelin ligjin e hixhabit dhe kanë kërkuar nga gratë që t'i binden ligjit. Autoritetet, gjithashtu, i kanë mbyllur dyqanet, kafenetë, restorantet, madje edhe farmacitë, sepse pronarët ose menaxherët dyshohet se nuk i janë përmbajtur ligjit islamik dhe rregulloreve të hixhabit.

Shefi i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni Ejei, paralajmëroi më 6 mars se gratë që shkelin rregullin e hixhabit do të ndëshkohen, duke thënë se heqja e shamisë tregon "armiqësi ndaj pushtetit dhe vlerave të tij".

Assal është në dijeni se ajo mund të arrestohet ose gjobitet për shkelje të ligjit. Por, ajo vazhdon të qëndrojë pas vendimit të saj.

“Edhe nëse më arrestojnë, nuk mund të bëjnë [shumë]. Protesta ime është më e rëndësishme”, tha ajo.

Protestat në mbështetje të të drejtave të grave në Iran janë përhapur në disa vende të botës. Stamboll, shtator 2022.

Edhe gratë që sapo ishin liruar nga burgu janë parë në publik pa shami.

Një prej tyre është regjisorja Mojgan Ilanlou, e cila në tetor u shfaq në publik pa hixhab dhe u dënua me 74 fshikullime me kamxhik dhe 10 vjet burgim.

Ilanlou u shfaq para burgut famëkeq Evin të Teheranit pa shami në shenjën fitoreje pasi u lirua në shkurt si pjesë e një amnistie të mandatuar nga Udhëheqësi Suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Disa komentues nga Irani janë shprehur se autoritetet janë duke e zhvilluar një betejë të humbur.

“Numri i grave që shfaqen në rrugë pa shami është mbresëlënës”, shkroi komentatori konservator Mohammad Mohajeri në një artikull të botuar në nëntor.

Ai e krahasoi kërkesën e hixhabit me shpërfilljen e përhapur të iranianëve për ligjin kundër antenës satelitore, duke shtuar se është e mundur që ajo që ne po shohim aktualisht, mund të bëhet normë.

Aktivisti i të drejtave me bazë në Kanada, Azam Jangravi, tha se hixhabi është simbol i "problemeve me të cilat përballen gratë në Iran".

“Hixhabi [i detyrueshëm] është pasqyrë e gjithë padrejtësisë dhe shtypjes me të cilën janë përballur gratë”, tha Jangravi për Radion Evropa e Lirë, e cila ishte në mesin e grave të arrestuara në vitin 2018 për protesta ndaj hixhabit./REL

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?