Foto ilustruese

Revolucionin nuk e bëjnë njerëzit e pushtetit e me pushtet!

8 Shkurt 2023, 12:15| Përditesimi: 8 Shkurt 2023, 12:40

  • Share

Revolucionin nuk e bëjnë njerëzit e pushtetit ose ata që janë ngopur nga pushtetit. Këta nëse bëjnë, mund të bëjnë grusht shteti.

Revolucionin nuk e bëjnë të pasurit ose të priveligjuarit, sepse janë të parët që marrin pasojat duke i humbur të dyja e duke mos pasur asnjë garanci se çfarë mund të ndodhë më pas!

Revolucionin nuk e bëjnë as gazetarët, sepse janë komod në punën që bëjnë e nuk mund të parashikojnë se çfarë mund të ndodh me pronarët e tyre pasi të ndodhë një ngjarje e tillë!

Revolucionin nuk e bëjnë as fëmijët e ish liderëve, sepse janë pjesë e kastës e nëse ndodh, ata humbin pozicionin e privilegjuar!

Revolucionin social e bëjnë punëtorët e thjeshtë, të shfrytëzuar që duan të përmbysin gjithçka e të shfrytëzojnë mundësitë e reja për të ndryshuar statusin e tyre social si një mundësi e artë për t'u bërë lider dhe drejtues. Këta e bëjnë revolucionin si shenjë hakmarrje ndaj atyre që i kanë shfrytëzuar! Shqipëria ka shumë pak fuqi punëtore, sepse establishmenti i sotëm falë politikave të saj të kontrollin dhe shtypjes e ka boshatisur Shqipërinë nga fuqia punëtore.

Revolucionin nuk e bëjnë as tregtarët, qofshin edhe të vegjël, sepse kanë frikë që bizneset e tyre mund të thyhen, shkatërrohen, digjen, vidhen e mund të përvetësohen nga ligje të reja ad hoc!

Revolucionin nuk e bën as shtresa e mesme, sepse ndjehet mirë si pjesë e sistemit dhe ka bërë marrëveshje të ndërsjella për të mbijetuar e për të fituar!

Revolucionin nuk e bëjnë konservatorët, sepse ata janë për ruajtur e mbrojtur çfarë kanë fituar e arritur ndër breza.

Revolucionin nuk e bëjnë as intelektualët, sepse vetë arsyeja e tyre racionale bie ndesh përmbysjeve të mëdha!

Revolucionin e bëjnë studentët, që nuk kanë çfarë të humbin e kanë ambicie të mëdha që mund t'i kenë vetëm duke bërë përmbysje të mëdha!

Revolucionin nuk e bën ai ish kryebashkiak, i cili ka vjedhur fondet  e rrugëve të ndërtuara keq, ose në shumë raste pa i ndërtuar fare.

Revolucionin nuk e bën ai ish kryebashkiak që ka pushuar nga puna një pastruese të ndershme e punëtore me motivimin se nuk ka marr teserën e partisë dhe me dyshimin se këtë të fundit nuk e ka votuar në zgjedhjet e fundit.

Revolucionin nuk e bën as ai ish drejtor, i cili pasi ka vjedhur shtetin e gjobitur privatin, me të humbur pushtetin është kthyer në biznesmen duke bashkëpunuar me pushtetin e radhës nën interesit e rritjes së fitimit, herë në mënyrë të drejtë e herë të tjera në mënyrë të padrejtë.

Revolucionin nuk e bën as ai ish ministër, i cili sa kohë ishte i tillë nuk takonte as një hallexhi         që nuk kishte xhepat plotë, makinën e mirë apo miq të fortë.

Revolucionin nuk e bën as ai deputet, i cili këtë të fundit e konsideron punësim dhe e shfrytëzon në maksimum duke marrë tollona nafte, bileta të paguara, qira të paguar edhe pse në fakt realisht ka disa shtëpi në Tiranë, por deklaron se është zgjedhur nga një rreth i largët malor dhe se jeton atje me pretekstin se misioni i tij është të qëndroj mes njerëzve.

Revolucionin nuk e bën as ai ambasador, i cili gjithë jetën e ka kaluar nëpër kryeqytetet e Botës me imunitet, me privilegje shtetërore dhe nuk ka pyetur qoftë edhe njëherë të vetme se si jetojnë bashkëqytetarët e tij në vendin ku është i akredituar.

Revolucionin e bën ai kryefamiljarë, i cili edhe pse ka punuar gjithë ditën, përtej limiteve të tij fizike, që ka duruar të sharat dhe ofezat e punëdhënësit, kthehet në darkë e ndoshta nuk ka mundësi t’i ushqej as më bukën thatë fëmijët e tij.

Revolucionin e bën ai prindërit, i cili edhe pse jeton me ndershmëri, kur zgjohet në mëngjes, nuk ka t’i jap fëmijës së tij as 200 lekë për të ngrënë diçka në shkollë e ndoshta nuk ka mundësi t’i blejë një palë këpuce dhe pantallona që të mos diferencohet nga shokët e tij.

Revolucionin e bën ai që shkon në një institucion për të kërkuar një të drejtë, por i mbyllin derën dhe e lënë jashtë, sepse ai bën pjesë të padukshmit, nuk ka as miq të fortë e as para për të marrë atë që i takon.

Revolucionin e bën ai që sëmurën, shkon në spital dhe i kërkojnë shumë para për ta shëruar, por ai në fakt është i papunë .

Revolucionin e bën ai që vazhdon të jetoj në një zonë që akoma nuk ka as rrugë dhe as komoditetet minimale për të bërë një jetë dinjitoze.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?