Akademiku Rexhep Qosja, një prej emrave më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, është shpallur fituesi i Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024. Libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës.
Juria e kryesuar nga Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga, Aida Tuci e vlerësuan veprën me motivacionin se “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.
Për arsye shëndetësore, autori i madh i letrave shqipe nuk mori vetë pjesë në ceremoni dhe vlerësimin në vend të tij e mori botuesi.
"Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu për të përfaqësuar akademikun, profesorin Rexhep Qosja, autorin tonë më të dashur të shtëpisë botuese prej 30 vitesh, të cilit i kemi botuar mbi 50 vepra deri më sot, pikërisht në një moment delikat të historisë së Shqipërisë drejt integritetit, drejt integrimit evropian dhe kur kemi probleme që të gjithë i dimë në rajon e që janë drejt rrugës së tyre të zgjidhjes.”, thotë Fatmir Toçi, drejtues i shtëpisë botuese "Toena".
10 finalistët e edicionit të katërt të çmimit “Lumo Skëndo” ishin: Rexhep Qosja me veprën “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën”, Pirro Loli me veprën “Unë jam një tjetër”; Luan Rama me veprën “Udha e gjatë në tunelin e Platonit”, Bedri Islami me veprën “Kadare i oborrit apo i lirisë”, Sherif Bundo me veprën “Dollia shqiptare”, Arben Imami me veprën “Kushtetuta”, Viola Isufaj me veprën “Baladë dritash për Zorbën”, Edlira Cerkezi me veprën “Mitet dhe raporti me letërsinë artistike”, Enis Sulstarova me veprën “Samiu dhe Utopia”, Stefan Çapaliku me veprën “Post scriptum - studime kulturore”.
Një vit më parë, fitues i Çmimit Lumo Skëndo ishte Ilir Ikonomi me librin “Fan Noli”- Apostulli”.
Komente
