Rexhep Qosja: Zgjedhjet, protestat e dekretet

28 Qershor 2019, 09:11| Përditesimi: 28 Qershor 2019, 09:14

  • Share

Zhvillimet politike në Shqipëri i përcjell rregullisht në mediet elektronike e të botuara të Tiranës dhe të Prishtinës.

Zhvillimet politikë në Shqipëri (e në Kosovë) tani e sa kohë më shkaktojnë dëshpërim, kur e kur dëshpërim e trishtim.

Këto zhvillime politike i vështroj dhe për to mendoj duke i kujtuar epokat më të shënuara me arritjet e me pësimet e tyre në historinë shqiptare.

E këto janë katër epoka.

E para është epoka e SKëndërbeut, si Epokë e Veprimit, në të cilën mbrohej populli dhe mbrohej vendi prej sulmeve të pandalshme të Perandorisë Osmane. FIgurat politike të kësaj Epoke ishin figura me integritet të lartë shoqëror e moral.

E dyta është Epoka e Rilindjes Kombëtare, si Epokë e Mendimit, në të cilën qëllim dhe ideal ishte krijimi i Shqipërisë shtet, që atëherë sundohej prej Perandorisë Osmane dhe i shqiptarit, që atëherë shpirtërisht sundohej prej Stambollit, prej Vatikanit e prej Athinës. Figurat politike e intelektuale të kësaj Epoke ishin figura politike e intelektuale me përkushtim të lartë kombëtar, me ndërgjegje të lartë shoqërore e me integritet të lartë mendor. Ishte kjo epokë e mendjes dhe etikës më shëmbullore në historinë shqiptare.

Epoka e tretë është Epoka e Socializmit komunist, si epokë e Mendimit totalitar dhe e Veprimit diktatorial, në të cilën me mjete të totalitarizmit mendor dhe veprues ndërtohej e forcohej shteti dhe ndërtohej e forcohej vetëdija kombëtare. Figurat politike të kësaj epoke në të gjitha pikëpamjet ishin të uniformizuara.

Epoka e katërt është kjo epoka e jonë, si epokë e quajtur e Demokracisë. Por, kjo demokraci, si po tregon praktika e saj partiake, politike e shtetërore, është demokraci e gënjeshtërt. Në klasën politike të kësaj epoke, si po shihet qartë, mbizotërojnë njerëz politikë të papërgjegjshmëri politike, shpesh të paetikë në mendimet dhe në veprimet e tyre.

Në vend se me reforma politike, shoqërore e shtetërore, që do të sillnin përmirësimin e jetës së popullit, që mund të bëhen të qëndrueshme vetëm duke kultivuar shkencën, kulturën, shpirtësinë, pjesëtarët e kësaj klase politike kujdesin e tyre më të madh ia kushtojnë posteve pushtetore dhe veprimeve politike, partiake e shtetërore gjithnjë duke pasur parasysh në radhë të parë interesat vetjake. Për këtë arsye korrupsioni, nepotizmi dhe privilegjet e shumëllojshme janë bërë emërtuesi themelor “historik” i veprimtarisë partiake dhe pushtetore në këtë epokë në Shqipëri e në Kosovë.

Po të vazhdojë edhe më tej mbizotërimi i këtij mentaliteti politik e shtetëror, Epoka e filluar para tridhjetë vitesh, do të shënohet në historinë shqiptare si Epokë e gënjeshtrës që ka pushtuar të vërtetën, e mashtrimit që ka pushtuar sinqeritetin, e padrejtësisë që ka pushtuar drejtësinë, e papërgjëgjshmërisë që ka pushtuar përgjegjshmërinë, e mujshisë që ka pushtuar bashkëpunimin, e dhunës që ka pushtuar demokracinë, e çmoralizimit që ka pushtuar nderin dhe e nëj vargu të këqijash të tjera.

Kriza e sotme politike e institucionale në Shqipëri, e nisur, e vazhduar dhe rrezikshëm e acaruar prej kryetarit të përparshëm, Sali Berisha dhe prej kryetarit të tanishëm të PD-së, Lulzim Basha, e plotësuar mjerisht prej anshmërisë partiake të kryetarit të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe e shtuar me disa masa e me disa paraqitje të paliruara prej gjykimesh kur e kur cenuese të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, e shton ndjenjën e pasigurisë të nënshtetasve shqiptarë që po e shton edhe ikjen e tyre prej Vendit të vet dhe e krijon një pamje shumë të përkeqësuar të Shqipërisë në Botë.

Djegia e mandateve të deputetëve të PD-së dhe të partive të tjera që me të përbëjnë opozitën, me çka janë fyer votuesit që ua kanë dhënë votën, i bën moralisht të pabindshme kërkesat e tyre dhe jodemokratike protestat e tyre.

Edhe për këtë arsye zgjedhjet e 30 qershorit mund të quhen të kundërshtuara prej një Opozite prej së cilës objektivisht nuk mund të jenë të kundërshtuara: prej një Opozite e cila duke djegur mandatet e deputetëve realisht e ka djegur vetëligjshmërinë! Zgjedhjet e 30 qershorit, prandaj, mund të mbahen. Mbajtja e tyre bëhet edhe më e arsyeshme qoftë edhe pse janë të pranuara prej atyre shteteve që janë me ndikimin më të madh, më të dëshiruar e më vendimtar politik, shtetëror e shoqëror në jetën dhe në politikën shqiptare: prej SHBA-ve, prej Mbretërisë së Bashkuar dhe prej shteteve të Bashkimit Evropian.

Nuk mund të kërkohet anulimi i zgjedhjeve, nuk mund të kërkohet largimi i kryetarit të partisë që ka fituar zgjedhjet – të kryetarit të Partisë Socialiste, prej një partie, prej një opozite, që bën përpjekje të vijë në pushtet me kërkesa të tilla, që bën përpjekje të vijnë në pushtet jo me zgjedhje po me protesta në të cilat mjete themelore janë gënjeshtrat, shpifjet, akuzat e pamatshme dhe dhunat e ndryshme.

Nuk mund të kërkohet anulimi i zgjedhjeve dhe nuk mund të kërkohet përmbysja e qeverisë siç po kërkon Partia Demokratike me aleatët e saj duke e tejshëmtuar pamjen e shtetit kombëtar, pamjen e Shqipërisë, para botës me gjithfarë akuzash e gjithfarë shpifjesh.

Nuk mund të kërkohet shtyrja e zgjedhjeve dhe përmbysja e kryeministrit dhe Qeverisë pa menduar se ajo shtyrje dhe ajo përmbysje kanë pasoja politike, institucionale, kushtetutare, shtetërore që nuk e sjellin tejkalimin por përshtrirjen e krizës.

Me gjithë të metat, gabimet, lëshimet, premtimet e parealizuara, gjuhën politike kur e kur të palejueshme të kryeministrit Edi Ramës, zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë më premtuese se sa mohimi i tyre për zgjidhjen e krizës shqiptare. Mbas këtyre zgjedhjeve do të duhej të bëhej çmos për organizimin e bisedimeve politike mes palëve të krizës dhe atëherë do të mund të mendohej dhe do të mund të pranohej mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme jo vetëm vendore por, pse jo, edhe të përgjithshme.

Shqipëria ka shumë nevojë për një katarsis që do të nenkuptonte llogaridhënie politike e shtetërore për tensionet, konfliktet, helmimet shpirtërore disavjeçare që po përjeton populli shqiptar. Dhe, kjo llogaridhënie do të duhej t’u paraprinte reformave që do të duhej të bëheshin së pari në vetë partitë e mandej në përbërësit kryesorë institucionalë të shtetit shqiptar në përgjithësi./Dritare.net

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?