TURQI - Nëse Sivasspor priste të arkëtonte 12-18 milionë euro nga shitja e Rey Manaj një sezon më parë, gjërat kanë ndryshuar dhe dëmtimi i sulmuesit ka bërë që klubi turk të kënaqet edhe me 2 milionë euro.
"Haberler" në Turqi bën me dije se sulmuesi i Kombëtares është pranë kalimit te Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do përfitojë 2.5 milionë euro në sezon, teksa Sivasspor ka rënë dakord ta lërë të lirë për vetëm 2 milionë euro.
Gjithçka duket shumë pranë dhe Rey do vishte fanellën e klubit të 12-të në karrierë. Vlen të përmendim se në dy sezonet e tij me Sivasspor, 28-vjeçari nga Lushnja zhvilloi 63 paraqitje dhe shënoi 34 gola dhe dhuroi 8 asistime. Vera e 2024 ishte "e nxehtë" për të, ku shumë klube elitare në Evropë ishin pas tij, por një dëmtim në sezonin pasardhës e la në hije. Sa i takon pagës, Manaj do bëhej ndër më të paguarit e Kombëtares, duke iu afruar Dakut apo Hysajt që paguhen afro 3 milionë euro në sezon.
Tanimë te Sharjah FC ai do gjejë edhe Feta Fetain, mesfushorin tjetër të Kombëtares i cili vetëm pak javë më parë u huazua nga Lokomotiva e Zagrebit.
Komente
