Foto ilustruese

Rezerva materiale e shtetit 'në ajër' raporti: Kuadri ligjor i paqartë për administrimin

13 Tetor 2023, 12:48| Përditesimi: 13 Tetor 2023, 12:54

  • Share

Situata të emergjencës civile mund të vijnë papritur duke sfiduar shtetin në garantimin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve të tij në kushte jo të zakonshme. Koordinimi institucional dhe administrimi i rezervave materiale si instrument i rëndësishëm në këto emergjenca merr rëndësi të veçantë. Por teksa kuadri për mbrojtjen civile në vendin tonë është përditësuar, jo të gjithë elementët e tjerë kanë ndjekur të njëjtin ritëm.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim performance me tematikë “Rezervat materiale të shtetit në shërbim të qytetarit” ka konstatuar se sot nuk ka një vizion të qartë lidhur me administrimin.

“Ministria e Mbrojtjes si institucion përgjegjës për hartimin e politikave shtetërore të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit nuk ka përfshirë në dokumentet politikë (strategji kombëtare/sektoriale, direktivat e ministrisë për mbrojtjen civile etj., rezervën materiale të shtetit duke mos garantuar në këtë mënyrë një vizion të qartë lidhur me administrimin e saj.

Kuadri ligjor dhe rregullator i rezervës materiale të shtetit është i pa përditësuar, duke shkaktuar mbivendosje dhe role të paqarta mes institucioneve të përfshira gjatë ndërhyrjes në përballimin e situatave të parashikuara sipas përcaktimit ligjor” thuhet në raport.

I njëjti vlerëson se organizimi dhe funksionimi i DPRMSH-së dhe drejtorive rajonale nuk është kryer sipas një analize të thelluar referuar kosto përfitim, nevojave për burime njerëzore me aftësi profesionale specifike gjykuar nga rëndësia dhe veçoritë e RMSH(rezervës materiale të shtetit), objektivave strategjikë afatgjatë lidhur me aktivitetin e me shkrirjen e disa agjencive dhe efekteve pozitive të qendërzimit të tyre, ku kjo e fundit mbart dhe vështirëson më shumë procesin e regjistrimit të aseteve të tyre.

KLSH sjell në vëmendje edhe faktin që pozicionet e drejtuesve të drejtorive rajonale me emërim të përkohshëm ose të komanduar, ndryshimet e shpeshta dhe pozicioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit për periudhën 2019 e në vazhdim i komanduar, bartin risk të lartë për menaxhimin e rezervës materiale të shtetit.

Auditimi konstaton se institucionet e përfshira pavarësisht kohës së gjatë nuk kanë arritur të përmbushin detyrimin për regjistrimin e plotë të pronave, pavarësisht se ka një vendim të Këshillit të Ministrave i cili ngarkon institucionet respektive për regjistrimin e tyre.

“Nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit nuk ka qartësi mbi mënyrën se si do të administrohen pasuritë e paluajtshme të rezervave materiale. Kryerja e aktivitetit dytësor për ruajtjen dhe shitjen e mallrave të sekuestruara dhe konfiskuara evidenton nevojën për rishikim të përgjithshëm të veprimtarisë së rezervës materiale, për të mos lënë hapësira në përmbushjen e aktivitetit kryesor të rezervës materiale të shtetit” nënvizon raporti.

Një tjetër element është zhvendosja e qendrës së rezervës për shkak të një projekti që do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Së fundi, territori dhe ndërtesat e njësisë kryesore të rezervës materiale me vendndodhje në Lundër, Tiranë, e cila është përgjegjëse për administrimin e mallrave ushqimorë në rang kombëtar, me VKM nr. 808, datë 12.12.2022 i kanë kaluar në përgjegjësi administrimi Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me qëllim ngritjen e një kompleksi argëtues dhe sportiv.

Deri në këtë fazë nuk disponohej një plan zhvendosje dhe një projekt të miratuar për zonën i cili referuar vendimit të sipërcituar duhet të ishte i dakordësuar më parë mes palëve. Pavarësisht sa më sipër, procedura për zhvendosjen ka nisur prej muajit Shkurt 2023 por ende nuk ka gjetur zbatim. Mungesa e qartësisë në vendimmarrjet e kryera lidhur me asetet ka ndikime negative në mirë administrimin e aktivitetit të institucionit” vlerëson KLSH./Monitor

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?