Rezervat e shtetit/ Ja si ‘zhduken’ makinat, skafet dhe motorat e konfiskuar

21 Tetor 2018, 07:30| Përditesimi: 21 Tetor 2018, 14:53

  • Share

Makina, kamionë, skafe, motoçikleta dhe mjete të tjera motorike, të konfiskuara nga Drejtoritë Rajonale të Policisë së Shtetit, kanë përfunduar në tregun informal dhe në duar të padukshme. Ky është një nga konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë auditimit të kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit Tiranë, për periudhën nga data 01.01.2014 deri në datën 31.12.2017.

Nga auditimi, institucioni më i lartë i kontrollit të financiar në Shqipëri ka konstatuar se kontraktuesit nuk dokumentojnë shkatërrimin e mjeteve motorike të konfiskuara, për kthimin e tyre në skrap, duke lënë shteg për abuzime, duke i nxjerrë ato në tregun informal. KLSH ka konstatuar gjithashtu se mjetet e konfiskuara, kanë dalë nga nga magazinat e shtetit, për t’u kthyer në skrap, së bashku me targat dhe pa u çregjistruar.

Në Drejtorinë Rajonale Rezervave Materiale të Shtetit-Tiranë (Lundër), të gjitha mjetet e konfiskuara që kanë hyrë janë të pajisura me targën e Republikës së Shqipërisë apo targa të shteteve të huaja. Nga auditimi konstatohet se, mjetet e shitura në formë skrapi janë bërë dalje së bashku me targat e tyre, pa marrë asnjë konfirmim në se janë çregjistruar nga DPSHTR. Ky veprim është në kundërshtim me ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998 “Për Kodin Rrugor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, VKM nr. 153, datë 07.04.2000 “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar dhe Udhëzimin nr. 1, datë 18.01.2012

Raporti i KLSH

88 makina dhe 22 motora me çmim të ulët

Në raport thuhet se janë shitur 88 makina dhe 22 motorra me çmim shumë të ulët, duke u bazuar në një udhëzim të gabuar. “Nga auditimi konstatohet se për periudhën objekt auditimi, Autoriteti Shitës ka zhvilluar disa ankande me objekt “Shitjen e automjeteve për qarkullim”, përcaktimi i vlerës së tyre për t’u shitur në ankand është bërë duke u bazuar në udhëzimin e Ministrit të Punëve të Brendshme nr. 75, datë 13.03.2014. Kjo mënyrë llogaritje nuk ka lidhje me VKM nr. 1242, datë 16.12.2009. Ky vendim ka për objekt administrimin dhe shitjen e mjeteve që dalin tepër, mbas miratimit të listës së mjeteve që mbeten në pronësi të institucioneve dhe që do të shiten me ankand, funksionarëve publikë ose nëpunësve civilë të administratës, pjesë e institucionit. Përdorimi i kësaj reference (udhëzimin e Ministrit të Punëve të Brendshme nr. 75, datë 13.03.2014) në 2 ankande të zhvilluara me objekt “Shitjen e 88 mjeteve për qarkullim dhe 22 motoçikletave” me fond limit 12,580,000 lekë, nga 25,160,000 lekë që është vlera e tyre reale, ka ulur padrejtësisht vlerën për më pak 50 %, duke sjellë si pasojë të ardhura të munguara për Buxhetin e Shtetit në shumën prej 12,580,000 lekë”, ka konstatuar KLSH.

( Kliko këtu ) për raportin e plotë nga auditi i KLSH

Tjetërsimi i 94 mjeteve

Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se nga periudha 1997-2010 janë mbajtur pa shitur edhe 94 mjete motorike, të cilat më pas janë tjetërsuar, nga “mjete për qarkullim” në “mjete për skrap”. “Nga DPRMSH mbahen pa u shitur (ardhur nga periudhat 1997-2010) 94 mjete motorike të ndryshme pa asnjë dokument si, procesverbali i sekuestrimit, konfiskimit dhe dokumentacioni për çregjistrimin e mjeteve sipas rregullave. Nga moskryerja e procedurave të shitjes në ankand fillimisht si mjete për qarkullim (edhe për vakum ligjor) pas kalimit të një kohe të gjatë në ambiente të hapura, këto mjete janë zhveshur nga të gjitha pjesët motorike dhe xhenerike, si sistemi i drejtimit, kambio, diferenciali, sistemi i amortizimit, etj duke u kthyer në “mjete për skrap”. Tjetërsimi i këtyre mjeteve nga “mjete për qarkullim” në “mjete për skrap”, ka sjellë si pasojë të ardhura të munguara për buxhetin e shtetit në shumën rreth 22,560,000 lekë”, vijon raporti.

Abuzimi me 5 200 mjete të tjera

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se është abuzuar me shitjen për skrap të 5 257 mjeteve motorike, ku përfshihen autovetura, kamionë, skafe etj. “Nga auditimi konstatohet se, DPRMSH gjatë periudhës së auditimi nëpërmjet ankandeve të realizuara, ka shitur për skrap rreth 5,200 mjete të ndryshme (autovetura dhe kamionë) me peshë totale prej 4,732 ton. Në përcaktimin e vlerës fillestare të ankandit për shitje në formë skrapi të këtyre mjeteve motorike nuk është përcaktuar pesha e metaleve me ngjyrë, të cilat zënë rreth 10 % të peshës totale të skrapit të shitur. Nga ballafaqimi i kryer datë 09.04.2018 rezultoi që e gjithë pesha e makinës është shitur si metal pa ngjyrë (hekur) i cili ka çmimin më të ulët të të gjithë metaleve dhe që varion sipas bursës përkatëse nga 23 lekë deri në 30 lekë për kg, ndërsa metalet me ngjyrë kanë çmime disa herë me të larta, si p.sh skrapi i bakrit ka çmimin nga 600-700 lekë/kg dhe skrapet e aluminit, duraluminit, plumbit, shkojnë nga 130-170 lekë kg, ose me një mesatare prej 220 lekë/kg. Mosrespektimi i bazës ligjore nga Autoriteti Shitës, ka sjellë si pasojë të ardhura potenciale të munguara në Buxhetin e Shtetit në vlerën prej 100,000,000 lekë”, thuhet në raport.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?