Aleksandër Vuçiç

Rezoluta e OKB për Srebrenicën, Vuçiç: Duan të na njollosin, por nuk do t’ia dalin kurrë

24 Maj, 15:48| Përditesimi: 24 Maj, 15:50

  • Share

Pavarësisht miratimit të rezolutës për Srebrenicën, presidenti serb Aleksandar Vuçiç foli për sukses, duke iu referuar rezultatit të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

"Nuk ka ndodhur asnjëherë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që votimi për çështjen e gjenocidit të mos kalohet unanimisht. Nuk ka ndodhur kurrë. Kjo po ndodh për herë të parë sepse disa njerëz donin të përdornin fuqinë e tyre të madhe politike për të politizuar këtë temë të rëndësishme”, tha Vuçiç.

Ai u shpreh se qëllimi i rezolutës ishte fajësimi i Serbisë, por premtoi se nuk do t’ia dalin kurrë.

“Ata donin të na vinin një shenjë në ballë por dështuan dhe nuk do ia dalin kurrë. Jam krenar që pata rastin të mbroj vendin, duke mos sharë askënd, duke iu përkulur viktimave, duke i pranuar të gjitha gabimet tona, të gjitha krimet e kryera nga disa bashkatdhetarë tanë, duke qëndruar këtu përballë jush me krenari”, tha Vuçiç.

Entuziaste për rezultatin u shpreh edhe kryetarja e parlamentit, Ana Bërnabiç.

“Më shumë se dy të tretat e botës nuk votuan për rezolutën. Ky është një rezultat i madh i punës së presidentit dhe diplomacisë sonë. Serbia ka treguar se si lufton për interesat e saj, por edhe se si lufton për botën dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare", u shpreh ajo.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën për Srebrenicën me 84 vota pro, ndër të cilat edhe Shqipëria. 19 vende ishin kundër, ndërsa 68 abstenuan.

Data 11 korrik do të jetë ditë kujtese për mbi 8 mijë burra e djem myslimanë të Bosnjë e Hercegovinës që u vranë 3 dekada më parë nga serbët.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?