Gramoz Ruçi

Rezoluta për antisemitizmin, Ruçi: Prej vitesh Shqipëria ka mbrojtur hebrenjtë nga shfarosja! I bashkohemi vendeve kundër urrejtes ndaj tyre

22 Tetor 2020, 14:50| Përditesimi: 22 Tetor 2020, 15:41

  • Share

Në fjalën hapëse të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi në seancën e sotme në Kuvend ai u ndal tek rezoluta për përkufizimin e antisemitizmit. Ai tha se kjo rezolutë u bashkohet ndjeshmërisë dhe përpjekjeve kundër urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe johebrenj.

"Sot në seancën plenare kemi në rendin e ditës votimin e Rezolutës “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”. Rezoluta jone u bashkohet ndjeshmërive e përpjekjeve të përbotshme kundër urrejtjes ndaj individëve hebrenj dhe johebrenj,  komuniteteve, pronave dhe institucioneve komunitare e fetare të hebrenjve.

Rezoluta mbështetet në përcaktimin e kësaj Aleance, e cila bashkon qeveritë dhe ekspertët për avancimin e vlerave që përkujtojnë Holokaustin, sipas deklaratës së Stokolmit të vitit 2000. Shqipëria është anëtare vëzhguese e Aleancës prej 2014. Përkufizimi dënon perceptimet denigruese ndaj hebrenjve, përpjekjet për të mohuar Holokaustin dhe për të zbatuar standarte të dyfishta në qëndrimet ndaj Izraelit.

Përkufizimi është pranuar deri tani nga 31 shtete, si Britania e Madhe, ShBA, Izraeli, Austria, Skocia, Rumania, Kanadaja, Gjermania, Bullgaria, Lituania, Moldavia, Franca, Qipro, Argjentina dhe gjatë dy viteve te fundit edhe nga disa vende fqinje: Maqedonia e Veriut, Greqia, Qipro, Italia dhe Serbia.

Është një lajm  i  mirë që ne, popujt e Ballkanit Perëndimor, rajonit që ka vuajtur si rrallë ndonjë kënd tjetër i botës, pasojat e pikëpamjeve e qëndrimeve etno-centriste e fetaro-centriste, i bashkohemi ketij veprimi emancipues të qytetërimit bashkëkohor: luftës kundër antisemitizmit.

Të gjithë kombet që përgjatë historisë kanë mbrojtur hebrenjtë nga shfarosja dhe i mbështesin ata sot kundër stigmatizimit, kanë të drejtë të krenohen. Por më shumë të drejtë kemi ne, shqiptarët sepse prania kulturore e lidhjet historike midis hebrenjve dhe shqiptarëve janë vërtetuar prej dymijë vjetësh.

Por jo vetëm kaq.  Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, ku të gjithë hebrenjtë u morën në mbrojtje dhe u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atdheu ynë, Shqipëria, në kohë të vështira ka shërbyer si një atdhe rezervë për ta. Gjatë Luftës kemi ndarë me hebrenjtë të njëjtin atdhe. Togfjalëshi  “atdhe rezervë” nuk është një frazë për të zbukuruar  apo zmadhuar kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve. Por për të theksuar faktin se në Shqipëri u shpëtuan jo vetëm 204 hebrenjtë vendas, por edhe 10-fishi i tyre ardhur nga Europa Qendrore e Lindore. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kishte rreth 800 hebrenj jorezidentë të pranuar prej vendeve me rrezik. Ndërsa deri në fund të Luftës u morën në mbrojtje mbi 3000 hebrenj.

Nuk ka rast tjetër në historinë botërore që një popull i vogël, nën pushtim, në një territor të cunguar, në varfëri të trashëguar nga prapambetja dhe të shtuar nga Lufta,  të shndërrohet në një vend klasik pritës të hebrenjve të rrezikuar nga shfarosja dhe Holokausti, duke u njohur atyre, prej vitit 1932 të drejtën e bashkësisë etnike e fetare.

Gjatë Luftës mjaft prej tyre u rreshtuan në formacionet luftarake përkrah shqiptarëve dhe historianët  pohojnë se rreth  15 hebrenj ranë dëshmorë për lirinë e Shqipërisë.

Mbrojtja e hebrenjve në Shqipëri ishte një qëndrim pa dallime: politike, ideologjike e fetare. Të gjithë krahët politikë, të gjitha institucionet kontribuan në mbrojtjen e tyre.

Prandaj Rezoluta që miratojmë sot është rezultat logjik i historisë sonë të mbrojtjes së hebrenjve.

Falënderoj deputetët Taulant Balla, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,  dhe Blerina Gjylameti, si nismëtarë e propozues të Rezolutës. Falenderoj Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, zonjën Juri Kim, Ambasadorin e Bashkimit Europian, z. Luixhi Soreca, dhe Ambasadorin e Shtetit të Izraelit, z. Noah Gal Gendler, që i janë bashkuar seances plenare të Kuvendit dhe po ndjekin miratimin e Rezolutës.

Miratimi i Rezolutës i paraprin organizimit, më datë 28 tetor,  nga Kuvendi, në bashkëpunim me Lëvizjen për të Luftuar Anti-Semitizmin, i veprimtarisë së parë në rajon kushtuar kësaj çështjeje: Forumi i Ballkanit 2020 kundër Anti-Semitizmit. Të ftuar për të marrë pjesë në këtë Forum janë personalitete të shquar ndërkombëtare, si Sekretari i Shtetit Maik Pompeo, përfaqësues nga Parlamenti Europian, vendet e Bashkimit Europian, kryeparlamentarët  e vendeve të rajonit, shtetarë të lartë të Izraelit, përfaqësues të Trupit Diplomatik etj.

Të gjithë i falenderoj paraprakisht për pjesëmarrjen dhe kontributet e tyre në Forumin e 28 tetorit dhe ju, të nderuar kolegë, ju ftoj ta miratojmë këtë." tha Ruçi.


Lajmi kryesor:

Forumi Kundër Anti-Semitizmit në Tiranë, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo merr pjesë nga Washingtoni


E.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?