Rezoluta për Kosovën, PD zyrtare 'kundër' konferencës së Kryetarëve! Çollaku: Duhej edhe interpelancë me Ramën! Meta: Qëndrimi për KFOR-in i rrezikshëm

4 Tetor 2023, 17:03| Përditesimi: 4 Tetor 2023, 17:57

  • Share

Vendimi në Konferencën e Kryetarëve për seancë të posaçme për Kosovën nuk kaloi pa vëmendjen e palëve politike. Deputeti i Bashës, Kreshnik Çollaku, që kishte kërkuar interpelancë me Ramën për Kosovën, dhe jo rezolutë, tha se me këtë vendim, Kuvendi shmangu ballafaqimin e Ramës për deklaratat për marrjen e veriut nën kontroll nga KFOR.

"Përfaqësues në Konferencën e Kryetarëve, përfaqësues të Rithemelimit të drejtuar nga zoti Berisha dhe përfaqësues të Partisë Socialiste të drejtuar nga zoti Rama, kanë bashkëakorduar dhe bashkëkordinuar, rrëzimin e kërkesës për interpelancë ndaj kryeministrit Rama, të cilën unë si deputet i Parlamentit, anëtar i Komisionit të Jashtëm, në emër të Partisë Demokratike kam depozituar pardje, për të kërkuar sqarim nga kryeministri i vendit, sqarime sa më parë, sqarime shteruese për një qëndrim që tejkalon gafën politike, një qëndrim që tejkalon divergjencat në këndvështrimet e trajtimit të ngjarjes, për një qëndrim i cili rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejtë atë për të cilën për ne si Parti Demokratike dhe shumicën e shqiptarëve përbën Kosova, integriteti dhe sovraniteti i saj. Thelbi i interpelancës që i kam kërkuar kryeministrit, ka qenë kërkesë për sqarim për një qëndrim dhe deklaratë të pohuar në disa raste nga kryeministri i vendit, ku kërkon që KFOR të marrë nën kontroll pjesën veriore të Mitrovicës. Shqetësues është fakti se e njëjta kërkesë, në të njëjtën ditë dhe po ashtu në mënyrë të përsëritur bëhet dhe nga presidenti i Serbisë Vuçiç", tha Çollaku mes tw tjerash.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi në një konferencë se faktorët politikë duhet të unifikohen, por qëndrimi i Ramës për KFOR është i rrezikshëm.

"Doja të ndaja me ju edhe një herë qëndrimin e Partisë së Lirisë në lidhje me çështjen e Kosovës dhe të dialogut të Kosovë- Serbi. Është shumë e rëndësishme që Shqipëria, Parlamenti, qeveria të gjitha institucionet në një zë të vetëm të kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO, si garancinë absolute të sigurisë jo vetëm për Kosovën por edhë për rajonin tonë. 

Gjithashtu, dua të përshëndes edhe qëndrimin e fundit të  KFOR-it i cili thekson angazhimin e tij por që bën të qartë që ekskluzivitetin për rendin dhe sigurinë e ka policia dhe institucionet e Kosovës dhe KFOR-I është në mbështetje të tyre. Çdo përpjekje djallëzore, e hapur apo e kamufluar që synon rivendosjen e kontrollit të veriut për KFOR-in, nuk është asgjë tjetër por një përpjekje për të kaluar nga republika e Kosovës tek republika e KFOR-it. Dhe kjo është ideja kryesore e vetë Beogradit zyrtar, pasi synon që kjo çështje, çështja e Kosovës të transferohet në forumin e këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku 5 anëtarë të Këshillit të Sigurimit, dy nga të cilët të përhershëm Rusia dhe Kina por edhe Brazili, Mozambiku dhe Ekuadori nuk e njohin Kosovën. Ideja për të krijuar apo për të kaluar tek republika e KFOR-it nuk është gjë tjetër vecse kërkesa për status të ri të KFOR-it që kërkon aprovimin e Këshillit të Sigurimit dhe që do të thotë pranimin e rihapjes së çështjes së Kosovës brenda rezolutës 12/44.  

Ndërkohë që është shumë e rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë, është shumë e rëndësishme për qeverinë e Shqipërisë, është shumë e rëndësishme për të gjithë përfaqësuesit e shtetit tonë, të theksojnë në mënyrë të vazhdueshme rëndësinë e vendimit të Gjykatës të Drëjtësisë Ndërkombëtare e cila i dha legjitimitet të plotë aktit të pavarësisë të Kosovës, duke i dhënë përgjigje botërisht pretendimit të Serbisë për këtë çështje. Edhe një herë tjetër theksoj rëndësinë e unifikimit të qëndrimit të gjithë aktorëve në vend në mbështetje të shtetit të Kosovës, të republikës të Kosovës të sovranitetit dhe integritetit të saj. Edhe njëkohësisht dua të shpreh edhe mbështetjen për vazhdimin e dialogut dhe unë besoj që tashmë pozita e Kosovës në këtë dialog është shumë e qartë, është një pozitë e atij faktori i cili duhet të udhëheqë në mënyrë më konstruktive drejt zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështjeje, gjithmonë në mënyrë positive, bashkëpunuese dhe në koordinim të ngushtë edhe me faktorin ndërkombëtar. I cili më së fundmi është kthjelluar për faktin se kush ka qenë dhe mbetet minuesi i vërtetë i dialogut dhe i suksesit të tij. Është koha për t’i qëndruar marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit dhe absolutisht kjo është e vetmja rrugë që na çon të gjithëve përpara", tha Meta.

Sipas një sqarimi të grupit parlamentar të PD pas këtyre deklaratave në konferencën e kryetarëve është rënë dakord që do jetë prezent në seancë të enjten e 12 tetorit edhe Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm për të dhënë sqarime.

Ora 16:15
Çollaku: Bardhi, Berisha e PS rrëzuan kërkesën e PD për interpelancë me Ramën për Kosovën

1696429048_kreshnikollaku.jpg

Konferenca e Kryetarëve, vendosi mbajtjen e një seance të dedikuar për Kosovën, ndërsa krerët e dy grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi deklaruan që projektrezolutat e propozuara do të integrohen në një, në mënyrë që Kuvendi të shkojë me një qëndrim në lidhje me sulmin e 24 shtatorit.Vendimi për seancë të dedikuar rrezoi automatikisht dhe një kërkesë të deputetëve të Lulzim Bashës për interpelancë me kryeministrin Rama për çështjen e Kosovës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku në një reagim e ka quajtur të paprecedentë rrëzimin e kërkesës.

"Sot vetëm pas faktit, jam njohur në mënyrë të çuditshme me një ngjarje surprizë që do ta vlerësoj negative, ngjarje e paprecedentë në çdo lloj praktike parlamentare dhe komunikimi të të drejtës së deputetëve, përfaqësuesve në parlament për të kërkuar sqarime nga qeveri dhe nga kryeministri i vendit. Jam njohur me një vendim të kryesisë së kryetarëve, një vendim i cili është marrë me dyer të mbyllura dhe në mungesë transparence të plotë ku sa më poshtë:

Përfaqësues në Konferencën e Kryetarëve, përfaqësues të Rithemelimit të drejtuar nga zoti Berisha dhe përfaqësues të Partisë Socialiste të drejtuar nga zoti Rama, kanë bashkërakorduar dhe bashkëmordinuar, rrëzimin e kërkesës për interpelancë ndaj kryeministrit Rama, të cilën unë si deputet i Parlamentit, anëtar i Komisionit të Jashtëm, në emër të Partisë Demokratike kam depozituar pardje, për të kërkuar sqarim nga kryeministri i vendit, sqarime sa më parë, sqarime shteruese për një qëndrim që tejkalon gafën politike, një qëndrim që tejkalon divergjencat në këndvështrimet e trajtimit të ngjarjes, për një qëndrim i cili rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejtë atë për të cilën për ne si Parti Demokratike dhe shumicën e shqiptarëve përbën Kosova, integriteti dhe sovraniteti i saj. Thelbi i interpelancës që i kam kërkuar kryeministrit, ka qenë kërkesë për sqarim për një qëndrim dhe deklaratë të pohuar në disa raste nga kryeministri i vendit, ku kërkon që KFOR të marrë nën kontroll pjesën veriore të Mitrovicës. Shqetësues është famti se e njëjta kërkesë, në të njëjtën ditë dhe po ashtu në mënyrë të përsëritur bëhet dhe nga presidenti i Serbisë Vuçiç.

Çudia është se si në mënyrë të koordinuar përfaqësues të dy subjekteve, Rithemelimit drejtuar nga zoti Berisha në Konferencën e Kryetarëve dhe përfaqësues të Edi Ramës, përfaqësues të PS në Konferencën e Kryetarëve bashkëkoordinojnë dhe dakordësojnë ë të rrëzohet mundësia e marrjes në pyetje të kryeministrit shqiptar për këtë çështje ekstremalisht sensitive për Kosovën dhe për interesin Kombëtar të shqiptarëve, patjetër për paqen dhe stabilitetin në Ballkan", shprehet Çollaku mes të tjerash.

 

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?