Rezoluta/Kuvendi 10 detyra DAP, ja ç'do ndodhë me administratën

7 Qershor 2018, 07:27| Përditesimi: 7 Qershor 2018, 10:41

  • Share

Kuvendi i Shqipërisë ka ngarkuar Departamentin e Administratës Publike me 10 detyra, të cilat konsistojnë në avancimin e reformës në administratë, si një ndër kushtet për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Pas shqyrtimit të raportit të DAP për veprimtarinë vjetore, Kuvendi ka miratuar një rezolutë, e cila përpos disa konstatimeve, i dikton DAP 10 lëvizje në administratë. Konkretisht, Kuvendi i kërkon DAP që të përfundojë brenda vitit 2018 rishikimi funksional strukturor i institucioneve të varësisë në administratën shtetërore.

Përfundimi i këtij procesi është parashikuar edhe nga vetë DAP në një plan të posaçëm. Plani parashikon që vijimin e ristrukturimit të degëve të administratës publike, duke e nënë theksin tek eliminimi i mbivendosjes funksionale midis strukturave ekzistuese, proces i cili pritet të prodhojë largime të punonjësve nga administrata. Gjithashtu, Kuvendi i kërkon DAP që brenda këtij viti të përfundojë standardizimi i përshkrimeve të punës për të gjitha grupimet e pozicioneve të punës në shërbimin civil, si dhe të miratojë përshkrimet e punës për çdo pozicion pune në institucionet e administratës shtetërore.

Po gjatë këtij viti, DAP duhet të vijojë punën për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke bashkëpunuar me Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, si dhe me të gjitha institucionet e administratës publike, me qëllim ekzekutimin e të gjitha vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Kuvendi kërkon që të realizohet gjenerimi i pagave nëpërmjet HRMIS-it për të gjitha institucionet e administratës shtetërore pjesë e shërbimit civil, si dhe të koordinojë punën me institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore për arritjen e këtij objektivi. Muaj më parë, qeveria miratoi një dokument, i cili parashikon rritjen e pagave në administratën publike, por rritja do të bëhet duke u bazuar në vlerësimin e vendit të punës, në bazë të arritjeve vjetore të nëpunësve civilë, në bazë të rezultateve në trajnimet e detyrueshme, në bazë të karrierës në shërbimin civil, duke iu referua posteve të larta menaxheriale si dhe pozicioneve të veçanta në administratë.

Vlerësimi i DAP
Përpos 10 detyrave, Kuvendi ka vlerësuar punën e Departamentit të Administratës Publike për vitin 2017. “DAP-i ka vlerësuar nevojën për ndryshime në aktet rregullative në fushën e shërbimit civil, duke nxjerrë udhëzime të reja, si dhe duke ndryshuar ato ekzistuese. Gjithashtu, DAP-i ka përgatitur projektakte ligjore dhe nënligjore për të përshtatur problematikën e evidentuar gjatë zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil me praktikën.

DAP-i ka punuar për përmirësimin e procesit te rekrutimit, çka pasqyrohet në rritjen e numrit të kandidatëve që konkurrojnë për një vend pune, krahasuar me vitin e kaluar. DAP-i ka zhvilluar procedurat e rekrutimit duke përdorur bankën elektronike të pyetjeve. Gjithashtu, DAP-i ka punuar në drejtim të rritjes së kapaciteteve vlerësuese të anëtarëve të komiteteve të përhershme të pranimit, nëpërmjet trajnimit mbi metodologjinë dhe teknikat e sakta të vlerësimit të kandidatëve”, thuhet në rezolutë.

10 detyrat e Kuvendit për DAP
1.Të përmbyllet procesi i miratimit të planit të ri të aktiviteteve për periudhën 2018-2020, dhe vlerësimit të nevojave financiare për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike për trevjeçarin e ardhshëm.

2.Të vijojë përmirësimi i procesit të rekrutimit, në drejtim të zvogëlimit të numrit të konkurrimeve, duke realizuar një ndarje sa më efektive të grupeve, si dhe për të siguruar transparencën e nevojshme dhe vlerësimin objektiv të kandidatëve që marrin pjesë në konkurrim.

3.Të plotësohen vendet vakante në institucionet e administratës shtetërore. Veprimtaria e DAP-it të fokusohet në drejtim të rritjes së besimit të kandidatëve të interesuar për të marrë pjesë në procesin e rekrutimit, me qëllim rritjen e pragut të cilësisë së kandidatëve.

4.Të garantojë zbatimin e procedurave ligjore për verifikimin paraprak dhe referimin në organet përgjegjëse, bazuar në ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe ndjekjen e rasteve të ndalimit të ushtrimit të funksionit publik, duke bashkëpunuar me institucionet e administratës publike.

5.Të vijojë punën për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke bashkëpunuar me Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, si dhe me të gjitha institucionet e administratës publike, me qëllim ekzekutimin e të gjitha vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

6.Të përfundojë rishikimi funksional strukturor i institucioneve të varësisë në administratën shtetërore.

7.Të përfundojë standardizimi i përshkrimeve të punës për të gjitha grupimet e pozicioneve të punës në shërbimin civil, si dhe të miratojë përshkrimet e punës për çdo pozicion pune në institucionet e administratës shtetërore.

8.Të marrë masat e nevojshme, si dhe të ushtrojë kompetencat e tij, duke përdorur mekanizmat ligjorë që disponon, për të evidentuar institucionet, të cilat ende nuk e kanë plotësuar Sistemin Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore (HRMIS) me të dhëna, duke u kërkuar përmbushjen e detyrimit të tyre ligjor në lidhje me këtë aspekt dhe të përfundojnë procesin e plotësimit të sistemit me të dhëna.

9.Të realizohet gjenerimi i pagave nëpërmjet HRMIS-it për të gjitha institucionet e administratës shtetërore pjesë e shërbimit civil, si dhe të koordinojë punën me institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore për arritjen e këtij objektivi.

10.ASPA duhet të vijojë punën si ofrues i trajnimeve për shërbimin civil dhe t’u kushtojë vëmendje të veçantë studimeve dhe hulumtimeve në fushën e administratës publike. Duhet të vijojë punën për rritjen e cilësisë dhe sasisë së trajnimeve, si dhe zbatimit të programeve të trajnimit, veçanërisht për TND-në dhe nëpunësit në njësitë e menaxhimit të burimeve njerëzore.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • erma: 07/02/2019 09:16

    medet per vleresim e administrates...90% baxhella dhe skiftera ke dhe cuditerisht mbi 10% e ndershem dhe kurriz ulurit bie kamxhiku i liqit!!!

    Përgjigju
  • Alba: 07/06/2018 09:01

    Vleresimi i Kuvendit per DAP: ka punuar për përmirësimin e procesit te rekrutimit... Ju lutem, mos u tallni me, boll... Nuk e keni pare apo beni sikur nuk e keni pare sistemin e rekrutimit ne DAP? 10 pike vlen CV-ja, 40 pike provimi me shkrim dhe 50 pike intervista.. Dmth dmth, ti mund te kesh mbaruar ne Harvard, mund te kesh punuar ne Dow Jones, dhe i gjithe mundi i jetes tende per shtetin shqiptar vlen njesoj me sa te pelqen drejtoresha e DAP-it. Qe si rastesisht e ka pelqimin me te shtrenjte se tarifat e Dow Jones..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?