Një rezultat historik ka arritur në historinë e boksit shqiptar Alban Bermeta. 32-vjeçari tiranas pas ndeshjes së fundit të fituar në Feti Borova kundër Fati Kelles, ish-kampionit olimpik të Turqisë, është renditur i 20 në botë në peshën e tij sipas Boxrec, faqes së specializuar të boksit në botë mbi të dhënat e boksierëve.
Ky numër është më i larti për një boksier shqiptar, ndërsa vetë Bermeta, i cili grushton për peshat e mesme, pretendon të ngjitet edhe më lart. Në muajt në vijim pritet që Bermeta të duelojë për titull kampion, pasi tani është në zonën e boksierëve më të fortë në botë.
Mjaft mirë po ecën edhe Denis Nurja, boksieri tjetër shqiptar që gjithashtu ka thyer rekordin personal, duke arritur të renditet i 28 në botë. Shifra që duket të pabesueshme referuar mbështetjes dhe marketingut të munguar, por të arritura falë përkushtimit të madh të sportistëve. Për Denisin kjo renditje vjen pas fitores që arriti në ‘Grushtin e Hekurt 2’ ku 1 javë më parë mposhti Charles Shinima nga Namibia.