VMRO-DPMNE është fituese absolute e zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Sipas rezultateve të para jo zyrtare, VMRO-DPMNE ka fituar në 20 komuna, LSDM në shtatë, BDI gjithashtu shtatë, Aleanca për Shqiptarët/Alternativa dhe Lëvizja Besa kanë fituar nga dy komuna, ndërsa nga një komunë kanë fituar PDSH, GROM dhe koalicioni PLD/RDM.
Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen gjatë ditës së sotme.
Pas rezultatit zhgënjyes të LSDM, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dha dorëheqjen, komunikim që e bëri mbrëmjen e djeshme, ku tha se merr përsipër rezultatin në zgjedhje. Dorëheqja e tij është nga detyra e kryeministrit si dhe nga posti i kryetarit të LSDM-së.
Në Maqedoninë e Veriut u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve lokale. Gara u zhvillua në 44 komuna dhe më e ashpër pritet në Shkup, në Tetovë, në Gostivar, në Kumanovë, në Strugë.
Ende nuk dihet nëse kjo dorëheqje e Zaev do të pasohet me deklarim të zgjedhjeve të parakohshme. Apo nëse do të ketë negociata për të formuar një qeveri të re po në drejtimin e LSDM-së.