Riaktivizohet zjarri në vendgrumbullimin e mbeturinave në Përmet. Zjarri ka vijuar përgjatë fundjavës dhe mëngjesin e sotëm duke shkaktuar tym kancerogjen që përthithet nga banorët e fshatit Piskovë.
Situata është kritike pasi po digjen të gjitha mbeturinat e depozituara në landfillin e Piskovës ku prej vitit të kaluar është shndërruar në vendgrumbullimin e mbeturinave të gjithë Bashkisë së Përmetit.
Sipas kryeplakut të fshatit Arlind Dyrmishi në vendngjarje nuk kanë shkuar forcat zjarrfikëse ndonëse ishin lajmëruar prej tij personalisht për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
“Mua më lajmëruan banorët dje dhe unë lajmërova zjarrfikësen dhe ajo nuk erdhi”, tha ai.
Deri më tani nuk dihet se kush ka qenë zjarrëvenësi, por banorët e fshatit Piskovë shprehen se vetë punonjësitë e Bashkisë së Përmetit janë ata që i kanë vendosur zjarr të kontrolluar mbeturinave ku më vonë u ka dalë jashtë kontrollit.
“Problemi plehrave ka qenë dramatike që kur është bërë projekti, kemi insistuar që të mos bëhet gropa këtu sepse është një zonë e mbrojtur dhe më poshtë kemi ujin e pijshëm. Bashkia e Përmetit janë të papërgjegjshëm dhe administratori se vë fare ujin në zjarr. Ne duam që kjo grop të mbyllet dhe të mos ekzistojë më. Nuk mund të bëhet një grop plehrash në një shtrat lumi”, tha një banor.
“Problemi i plehrave në Piskovë është një problem i njohur dhe deri tani nuk është vënë uji në zjarr. Tymi që digjeshin plehrat na shkatërroj kemi fëmijë, kemi biznese, po vijnë të huajt dhe po pataksen më këtë masakër që po bëhet këtu”, tha një banor tjetër.