Një kërkesë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë nga dega e Federatës Panshqiptare "Vatra" në New York me drejtues Skënder Myrtezani për riatdhesimin e eshtrave të Fan Nolit, ka ndezur debatin mes vatranëve në SHBA.
Në një lidhje me skype për “Studio Live” në Report Tv, Valentin Lumaj, përfaqësues i Vatrës në Michigan shprehet skeptik me nismën.
Sipas tij, teza e riatdhesimit të Nolit nuk është diskutuar në nivelet intelektuale të Vatrës të cilën e konsideron Federatë në krizë identiteti dhe me mjaft probleme legjitimiteti.
Gjithashtu, Lumaj thekson se është edhe Kisha Ortodokse e Bostonit e themeluar ngë Noli e cila mund të pengojë riatdhesimin.
Ndërsa shton se Kisha Autoqefale e Shqipërisë nuk ka shprehur asnjë interesim për të dërguar Nolin në Shqipëri.
Qëndrime këto të cilat kundërshtohen nga Skënder Myrtezani.
Ky i fundit u shpreh se Fan Noli është kolosi më i madh shqiptar dhe meriton në prehet në tokën e tij amë.
Ai thekson se krahas Gjergj Fishtës, vëllezërve Frashëri, Ismail Qemalit dhe Mbretit Zog, edhe Fan Noli duhet të kthehet në shtëpi.