Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu

Sociale

Rijetëzim i ish-godinës së maternitetit të Sarandës, Koçiu: Nga hapësirë e braktisur, në qendër multifunksionale për të rinjtë

20 Gusht, 16:24| Përditesimi: 20 Gusht, 16:55

  • Share

Ish-godina e maternitetit të Sarandës, në kuadër edhe të rijetëzimit të aseteve publike, po shndërrohet në një Qendër Multifunksionale për të rinjtë, investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli panë nga afër zbatimin e këtij projekti ku godina e ndërtuar që në vitin 1930 dhe e braktisur prej vitesh, do të shërbejë si një qendër edukimi praktik, muze si dhe hapësirë sociale dhe kulturore.

Koçiu shtoi se synimi është të krijohet një model i qëndrueshëm që mbështet zhvillimin lokal, turizmin dhe përfshirjen e të rinjve në jetën aktive të qytetit.

“Kjo është një super godinë e bukur në një nga lokacionet më atraktive të qytetit të Sarandës që shërbimin shëndetësor që ofrohej për nënat dhe foshnjat e tyre, e kemi transferuar në një godinë tërësisht të re në ambientet e spitalit të Sarandës duke ia lënë qytetit këtë godinë tashmë të administruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit i cili po e transformon dhe do ta kthejë në funksion jo vetëm të të rinjve dhe fëmijëve, por edhe të kujtdo tjetër që vjen për të marrë shërbim social dhe edukativ”, tha Koçiu duke shtuar se ky investim e kthen edhe në një zonë muzeale me të gjitha atraksionet që ka Saranda.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Koçiu nënvizoi se në këtë hapësirë do mund të zhvillohen kurse për të rinjtë për t’u aftësuar me njohuri të cilat mund t’i venë në praktikë. 

Drejtori i FSHZH-së, Dritan Agolli sqaroi se në këtë Qendër do të integrohen dy programe.

“Është programi i rijetëzimit të aseteve publike, godinave publike që e kanë humbur funksionin e tyre. Aktualisht kjo godinë ka qenë e degraduar prej 5 vjetësh ndërkohë që ishte një vlerë në vetvete për qytetin dhe për të gjithë pjesën e ofertës turistike. Programi i dytë është në konceptin e kthimit të qendrave sociale në mënyrë që të kthehet në një qendër për të rinjtë”, deklaroi ai.

Nëpërmjet këtij investimi synohet që të rinjtë e Sarandës të mund të praktikohen duke përfituar përvojë në shërbime të ndryshme të domosdoshme për qytetin turistik.

Gjithashtu, projekti i FSHZH-së kthen godinën e stilit italian edhe në një atraksion të ri për Sarandën ku do të ruhet jo vetëm pjesa e muzeut, e vjetra, por do të shërbejë si një zonë shërbimesh me përdorim shumë të gjerë për të tërhequr turistët e huaj.

 

S.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?