Aerodromi i Gjirokastrës është rijetëzuar pas 30 vitesh. Spektakli i parë u dhurua nga 4 aeroplanë sportivë nga Maqedonia e Veriut dhe 2 të tjerë nga Kosova, që në bashkëpunim me mjetet fluturuese të Shoqatës së Aeronautikës Shqiptare dhanë spektakël mbi qiellin e kaltër.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar çeljen e këtij aerodromi si një hapësirë më shumë për turizmin e zonës.
"Mirëmëngjes dhe me eksperiencën e çeljes së aerodromit të Gjirokastrës, një hapësirë më shumë për turizmin e zonës, ju uroj një të diel të mbarë", shkruan Rama.
Riaktivizimi i aerodromit të Gjirokastrës është bërë nga bashkia e qytetit, çka synon kthimin e kësaj piste një destinacion të sporteve të ajrit në funksion të turizmit dhe logos së re të Gjirokastrës "365 ditë turizëm".
I vënë në funksion në fillim të viteve '30, aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati 90 vjeçare. Avioni i fundit që është ulur në këtë piste, ishte një fluturak shtetëror që daton më 26 shkurt të vitit 1991 kur Ramiz Alia vizitonte për herë të fundit Gjirokastrën.