Pas një periudhe të gjatë herë në gjendje pune e herë jo, është rivënë në funksion sahati i Gjirokastrës, simboli i Kalasë dhe i qytetit të Gjirokastrës.
Lajmi është bërë me dije nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në Facebook.
Ministri thotë se ky rikthim shënon një hap të madh në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe i jep vizitorëve një arsye më shumë për të përjetuar magjinë e kalasë dhe horizontin unik të Gjirokastrës.
“Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, herë në gjendje pune e herë jo, simboli i Kalasë dhe i qytetit është rivënë në funksion, duke marrë sërish jetë me mekanizmin e tij dhe me vendosjen e këmbanores, falë punës fantastike të DRTK Gjirokastër.
I ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX, sahati ka qenë dëshmitar i historisë së Gjirokastrës, duke shënuar jo vetëm orët, por edhe ngjarjet e saj më të rëndësishme.
Ky rikthim shënon një hap të madh në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore dhe i jep vizitorëve një arsye më shumë për të përjetuar magjinë e kalasë dhe horizontin unik të Gjirokastrës", shkruan Gonxhja.
Komente
