Të sigurt për rikthimin në elitën e futbollit pas 5 vitesh mungesë, Flamurtari nisi në fundin e majit rikonstruksionin e stadiumit të Vlorës, me synimin që të ishte gati me nisjen e sezonit të ri. Mirëpo vlonjatët ende s’kanë debutuar në shtëpinë e tyre.
“Ndërhyn në të gjithë sektorët e stadiumit, duke betonizuar shkallët që kishin rënë. Filluam lyerjet, riparimet e brendshme me dhomat e zhveshjeve. Ndryshuam çdo gjë. Nga A te ZH, duke bërë një rikonstruksion total,”-u shpreh Sinan Idrizi, president i Flamurtarit.
Edhe pse nuk jep siguri, Idrizi pohon se qëllimi është që Flamurtari të luajë në Vlorë ndeshjen e ardhshme kundër Egnatias me 28 shtator. Numri 1 i klubit vlonjat foli gjithashtu për kritikat e shumta ndaj Flamurtarit, si ndër klubet me më shumë të huaj në elitën e futbollit shqiptar.
“Bota sot është globale. Atëherë nëse doni të mbyllni kufinjtë e Shqipërisë rikthehemi para 90’. Duam Flamurtar të para 90’ dhe këtu mbyllet historia. Kështu doni marka të huaja për t’u veshur, makina e të tjera dhe në fund thoni përse s’ka lojtarë vlonjat. Edhe unë i dua vlonjat por nuk kam se ku ti gjej,”-tha Idrizi.
Më herët është mësuar se Flamurtari ka një marrëveshje me Real Madrid për ngritjen e akademisë në Vlorë, me asistencë të plotë të klubit më të titulluar në botë.
“Në datën 5 jemi ftuar të jemi në Madrid. Është një iniciativë e ndërmarra e gjitha nga kryeministri i Shqipërisë, me idenë për të sjellë në Vlorë ajkën e futbollit. Ne kemi një para marrëveshje xhentëllmenësh me ta për të sjellë akademinë e Real madridit. Plus kemi një surprizë tjetër me datë 5-6 tetor që do ta dëgjoni kur të jemi atje,”-deklaroi kreu i klubit vlonjat.
Në dy ndeshjet e para të sezonit të ri në Superligë kundër Elbasanit dhe Bylisit Flamurtari ka marrë vetëm 1 pikë.
Komente
