Rikonstruktimi i spitalit Infektiv, Rama: Sistemi i sigurisë i garantuar, në korrik do ju rrisim rrogat! Çomo: E pabesueshme, ëndërr që po bëhet realitet

26 Maj 2022, 12:05| Përditesimi: 26 Maj 2022, 12:37

  • Share

Për 2 vite pandemi, spitali infektiv trajtoi pacientë të infektuar me Covid-19 dhe tashmë që sëmundja duket se është në zhdukje, ka nisur rikonstruksioni i ambienteve dhe punimet i ka inspektuar nga afër kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Investimi me vlerë prej 5.6 milion euro parashikon dyfishim të kapaciteteve të reanimacionit dhe të repartit të urgjencës. Rama tha se po investohet për rritjen e standardit për shërbimet shëndetësore ndërsa premtoi se në korrik do të nisë rritja e pagës për stafin mjekësor. Ndërsa shefja e Infektivit, Najada Çomo e cilësoi rikonstruktimin e Infektivit si ëndërr që po bëhet realitet.

"Rëndësi ka që i kemi të mbyllura projektet. Duhet të shohim vetëm atë rrugën që ndan korpusin nga lagjia që të jetë i mbyllur megjithë sistemin e sigurisë dhe besoj që nuk do të ketë më gjëra të reja për të bërë, vetëm mirëmbajtje dhe rritje të kapaciteteve që nuk mbarojnë kurrë. Duhet ndërhyjmë edhe tek Fakulteti i Mjekësisë, megjithëse është gjë tjetër. Do rrisim dhe rrogat tani, me 1 korrik. Duam ta rrisim deri në 40% dhe e kemi planifikuar që ta bëjmë", tha Rama.

“Për ne është ëndërr që po kthehet në realitet. Është e pabesueshme”, tha Çomo.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri me dije se në fund të korrikut do të përfundojnë punimet. Kapaciteti i plotë i këtij spitali do të jetë 118 shtretër dhe do të ketë dyfishim të kapaciteteve të terapisë intensive.

"Projekti parashikon rinovim të ambienteve, Do të kemi 118 shtretër, do të dyfishohen kapacitetet e terapisë intensive, nga 4 në 8 shtretër, një organizim për urgjencën me imazheri të dedikuar dhe për strukturat e pavioneve ku planifikohet të kemi dhoma me presion negativ ku të gjitha kapacitetet që nuk i kishim në raport me ajrin, të mundet t’i kemi në 80% të kapaciteteve të shtretërve. Dhomat janë planifikuar me elementet e strukturës, tualetet brenda, paradhomën dhe sistemin që parashikon vëzhgimin në kohë real të sistemit të infermieror dhe të gjithë elementët përkatës", tha Manastirliu.

Ndonëse raportohen çdo ditë raste të reja me Covid-19, sëmundja duket se është drejt shuarjes pasi nuk po merr jetë njerëzish si më parë. Ndërsa po punohet për rikosntruktimin e spitalit Infektiv, pacientët me koronavirus mund të marrin trajtim mjekësor pranë spitalit Covid 3.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?