Pediatria e Specialiteteve në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", në rikonstruksion për pak ditë do të hapë dyert duke garantuar kushte bashkëkohore në kujdes shëndetësor për pacientët e vegjël.
Kryeministri Rama ndau pamje nga ky investim, të cilit po i jepet dora e fundit nga artistët e muraleve që po vizatojnë figura të dashura për fëmijët nëpër mure.
“Pediatria e Specialiteteve në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza", hap dyert për pak ditë duke garantuar kushte bashkëkohore dhe një shërbim shëndetësor cilësor për pacientët që kanë nevojë për kujdes mjekësor”, shkruan Rama.
Punimet përfshinë krijimin e hapësirave moderne dhe të pajisura me teknologji bashkëkohore, të cilat do të akomodojnë disa nga shërbimet më të rëndësishme për kujdesin pediatrik, siç është Onkohematologjia, Pediatria e Specialiteteve, Pneumo-Alergo, Endokrinologjia, Neurologjia, Gastrohepatologjia, Fizioterapia, Nefro-dializa dhe Shërbimi i Gjenetikës me një laborator të integruar, i cili do të ofrojë një gamë të gjerë testesh laboratorike gjenetike.
Investimi ka përmirësuar infrastrukturën dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të rehatshëm për pacientët e vegjël dhe personelin shëndetësor, duke siguruar standardet më të larta të cilësisë në shërbimet shëndetësore.
Shërbimet që do të akomodohen në këtë pjesë përfshijnë diagnostikim të avancuar, trajtim multidisiplinar dhe mbështetje për rastet më komplekse pediatrike.
Me përfundimin e fazës së dytë kompletohet i gjithë korpusi i Spitalit Pediatrik në QSUNT.
Komente
