TIRANË- Pushimet kanë mbaruar për politikanët, të cilët tashmë do i kthehen angazhimeve në politikë. Nesër kryeministri Edi Rama pritet që të mbledhë në Dajt anëtarët e kabinetit. Takimi do të jetë me dyer të mbyllura dhe do të nisë në orën 10:00 deri në orën 18.00. Me pjesëmarrjen e ministrave, drejtuesve të organeve të varësisë dhe të kryebashkiakëve, takimi në Dajt do të shërbejë për analizën e progresit dhe përgatitjet për sesionin e ri parlamentar.
Burime pranë mazhorancës e konsiderojnë mbledhjen e kësaj të diele një hap i rëndësishëm për të adresuar strategjitë dhe prioritetet e ardhshme. Kjo do të jetë një mundësi për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat e kaluara, por edhe për të diskutuar strategjitë për vitin zgjedhor që po afron. Në mbledhjen e qeverisë, pritet të bëhet analizë e Progresit dhe Strategjive. Në mbledhje, pritet gjithashtu që të bëhet dhe plani për vitin zgjedhor.
Ndërsa socialsitët kthehen në punë të dielën, 2 shtatori do t’i rikthejë të gjithë ligjvënësit në parlament. Deputetët do nisin një sesion të ri jo fortë të qetë, me angazhim maksimal nga palët politike. Në sirtarët e Kuvendit ka dosje të pluhurosura, të harruara, të neglizhurara ose lëna qëllimisht nga palët, që presin zgjidhje apo kërkojnë konsensus politik.
Çështja e Avokatit të Popullit ka mbetur “peng” i numrave dhe konsesusit mes palëve, duke mbajtur ende në detyrë Erinda Ballancën, të cilës mandati i ka përfunduar në maj të 2022-shit. Sesioni i kaluar u mbyll pa asnjë diskutim mbi emra konkret, e madje diskutime serioze nuk ka patur që pas procesit të dështuar në dhjetor të 2022-shit kur mazhoranca rrëzoi me votë propozimin e opozitës për kandidaturën e Ledio Brahos.
Çështja Xhaçka është një tjetër dosje e rëndësishme që ka mbetur “peng” i procedurës parlamentare prej më shumë se 2 vitesh. Për këtë të fundit angazhimi ka qenë i madh e do rikthehet edhe njëherë në nisje të sesionit, duke iu nënshtruar për të tretën herë votës së deputetëve që duhet të vendosin nëse do t’a çojnë apo jo për shqyrtim mandatin e saj në Gjykatën Kushtetuese.
Edhe diskutimet për Reformën Zgjedhore që nisën në 2022-shin me komisionin e posacëm, e që përfunduan vetëm konsensusin politik të palëve vetëm për listat dhe votën e diasporës, pritet të rikthehen sërish këtë sesion. Palët ende nuk e kanë plotësuar detyrimin për një reformë të plotë para zgjedhjeve parlametare të 2025-ës sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
Janë pikërisht zgjedhjet e pranverës së ardhshme ato të cilat pritet të rrisin tensionin politik këtë sesion plenar, me socialistët që kërkojnë mandatin e katërt qeverisës dhe opozitën e cila premton aksion dhe kërkon zgjedhje të lira e të ndershme. Mazhoranca socialiste nga ana tjetër premton risi, me një kabinet të rifreksuar në fund të muajit korrik dhe me një parti të rienergjizuar në terren siç e kanë cilësuar vetë ata.
Ndryshe nga formati i Lindita Nikollës, ky sesion i ri pritet të ketë surpriza edhe për nga mënyra e drejtimit, me Elisa Spiropalin, një nga zërat kryesorë të mazhorancës në përballjet parlamentare me opozitën. Me pozicionin e ri, Spiropali duhet të zhveshë kostumin dhe retorikën politike të partisë së saj për të drejtuar me paanshmëri seancat plenare si Kryetare e Kuvendit.