Flamuri i Kosovës

Rikthehen diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën në Bruksel

12 Janar 2023, 09:25| Përditesimi: 12 Janar 2023, 09:29

  • Share

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, vazhdon të jetë një ndër tema kryesore edhe të këtij viti. Komitetit për Drejtësi dhe Liri Civile të Parlamentit Evropian (LIBE) do të mblidhet sot (12 janar) për të diskutuar dhe votuar për liberalizimin e vizave për Kosovës.

Marrëveshja trepalëshe për liberalizimin e vizave për Kosovën do të diskutohet dhe do të hidhet në votim të enjten në Komisionin për Liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të Parlamentit Evropian.

“Propozimi i Parlamentit për rregullat për votimin e evropianëve dhe qëndrimin në zgjedhjet komunale në shtetet tjera të BE-së. Liberalizimi i vizave me Kosovën – marrëveshja trepalëshe”, njoftohet në faqen në Tëitter të Komitetit.

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, përmes një cicërime në Tëitter ka thënë se do të vazhdohet me ritmin në Parlamentin Evropian pas marrëveshjes së shumëpritur me vendet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën dhjetorin e kaluar.

"Pas marrëveshjes së shumëpritur me shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën dhjetorin e kaluar, ne do të vazhdojmë me ritmin në Parlamentin Evropian. Votoni në komision këtë të enjte!" – ka thënë ai.

Çfarë pritet për vizat?

Tashmë veç Kosova nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka liri të lëvizjes për arsye nga më të ndryshme. 1 janar 2024 është data kur përfundimisht qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza. Kështu pati deklaruar në një intervistë për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë në Bashkimin Evropian, Edita Hrda.

Hrda kishte folur edhe rreth arsyeve se pse u vendosë 1 janari 2024 si data e fundit, për libralizimin e vizave, duke thënë se kjo është më shumë “masë sigurie”.

“Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – kishte thënë ambasadorja e Çekisë, e cila ishte kryesuese e presidencën e BE-së gjatë gjashtë mujorit të kaluar.

Çfarë është liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave paraqet një marrëveshje të nënshkruar në mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, që mundëson udhëtim pa vizë dhe qëndrimin për 90 ditë për qytetarët e saj. Për t'u qartësuar është akoma fakti, se kjo marrëveshje nuk përfshin assesi leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtetet, pjesë të zonës Shengenit.

Zona Shengen përfshin një numër të madh shtetesh. Në rast se Kosova do të nënshkruante këtë marrëveshje, atëherë qytetarët e saj do të mund të udhëtonin lirshëm, në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Austria, Belgjika, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, etj. Po ashtu, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtonin, në disa vende që janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje, ndonëse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni, etj./Nacionale

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?