Kompania Bankers Petrolium, ka investuar në zonën e Zharrëzës, 100 mijë dollarë në fusha sportive dhe ambiente rekreative. Falë projektit, është rikonstruktuar edhe ambienti i jashtëm i godinës së njësisë administrative.
Ndeshjet e futbollit dhe kalimi i kohës së lirë, për fëmijët dhe banorët e Zharrëzës në Patos, tashmë do të jenë më të bukura.
Falë investimit me vlerë 100 mijë dollarë të kompanisë Bankers Petrolium Albania, mjediset sportive u janë nënshtruar një rikonstruksioni të plotë. Tapet i ri, rrethim dhe tribunë për sportdashësit. Nuk ka munguar edhe ndërtimi i hapësirave të reja rekreative për banorët e zonës.
“Ky investim është shumë i rëndësishme, për Bashkinë Patos, njësinë Zharrzës. Është kalçeto, janë ambientet rekreative që nuk do të ju shërbejë vetëm sportit, por dhe banorëve të Zharrzës, për të pasur një pasdite të këndshme”, tha sekretari i Bashkisë Patos, Shkëlqim Beqiraj.
Rikonstruksionit i është nënshtruar edhe godina e njësisë administrative Zharrëz, Përveç termozilomit të godinës, janë zëvendësuar edhe të gjitha dyert dhe dritaret.
Ndërhyrja e realizuar nga Bankers është përqëndruar në një sipërfaqe totale mbi 8700 m2.
“Me kompaninë Bankers do të vazhdojë bashkëpunimi dhe për një rrugë që do të bëjmë po në këtë njësi administrative”, tha Beqiraj.
Me qëllim përmirësimin e nivelit të jetesës së banorëve të këtyre zonave, Bankers premton se do të vijojë kontributet në zonën kua ata operojnë.