Pavarësisht se jo një periudhë e përshtatshme për të bërë art, si pasojë e pandemisë së COVID-19, nuk kanë munguar përpjekjet dhe idetë e artistëve edhe në këtë situatë.
Në muajin shtator në qytetin liqenor të Pogradecit do të startoje aktiviteti "Ditet e Humorit Niko Nikolla". Këtë të diel në Pogradec është shpallur juria dhe fillimi i këtij aktiviteti, i cili këtë herë vjen me risi, siç është konkursi i letërsisë humoristike. Për organizatoren Flora Nikolla, kjo bienale synon ti jap një shtysë dhe zhvillim më të madh gjinisë së letersisë humoristike.
"Ndihem shumë mirë sot, me emocion që më në fund shpallëm konkursin që prej vitesh për letërsinë humoristike e satirike" - tha organizatorja Flora Nikolla.
Në juriën e këtij aktivitete do të jenë emra të njohur të artit dhe skenë: Vangjel Kozma, Alda Bardhyli, Rezar Xhaxhiu, Daut Dauti, Eritan Kamolli, Ilir Shyta dhe Zamira Kita.
"Të jem pjesë e jurisë së këtij aktiviteti ka shumë rëndësi për mua. Së pari unë jam një aktore e humorit dhe padyshim që materiali humoristik më rri shumë mirë. E ndjej mungesën në këto vite të shkrimeve të tilla kështu që jam shumë e lumtur" - tha aktorja Zamira Kita.
Në gjurmët e revistes “Osteni”, tek e cila janë botuar pjesë dhe fragmente nga “Shkëlqimi dhe Rënia e shokut Zylo”, ky konkurs ndërkombetar i letërsisë humoristike do të kthehet në traditën kulturore të Pogradecit.