U shfaq në kinema filmi “Zgjimi i Enver Simakut” me regji të Marco Lledós. Hetimi i një gazetari (Julien Blaschke), që kthehet në Shqipëri për të mësuar për vdekjen e gruas së tij, në mënyrë misterioze vjen nëpërmjet një përzierje të realitetit dhe trillit. Nën lupën e regjisorit spanjoll vjen Shqipëria e vitit 1997, ku një imazh në video, rrëqethës e i vjetruar, i shfaqet çdo natë si një makth Julienit, duke e zgjuar prej gjumit. Njëzet vjet nga vrasja e gruas së tij, Anxhelinës, Julieni është i vendosur të hetojë mbi vdekjen e saj, mes regjistrimeve të pabesueshme, dosjeve policore e vizionit të botës së përtejme.
“Zgjodha viti 1997, sepse është një vit i shënuar në historinë e Shqiptarëve. Ishin ngjarje të këtilla, që na shërbyen shumë mirë si sfond për filmin. Për mua ka qenë një privilegj shumë i madh, që të punoj me këtë kast të mrekullueshme artistësh shqiptar, që e kanë ndërtuar vet karakterin e tyre pak edhe nga pak”, u shpreh regjisori spanjoll Marco Lledó.
Ngjarjet janë të vendosur në Jug të Shqipërisë. Në të luajnë artistë të njohur shqiptarë, si Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Viktor Zhusti, Piro Milkani, Ema Andrea dhe Laert Vasili.
“Jemi para një filmi, që ne artistëve shqiptarë na ka ardhur një ftesë e befasishme, shumë e dëshiruar edhe shumë e mirëpritur. Kemi arritur ditë të mrekullueshme, sepse ishte një ëndërr e madhe, për në qe të shkojmë deri në Spanjë, për t’u njohur me këtë popull të mrekullueshëm”, tha aktorja Tinka Kurti.
Edhe për kineastin Pirro Milkani ky bashkëpunim është i veçantë për karrierën e tij.
“Është një kënaqësi që të luash në një film të huaj, por kënaqësia më e madhe për mua është që në këtë film interpretojnë shqiptarë me një karrierë të shkëlqyer. Shpresoj që të mirëkuptohet nga publiku ky film, sepse është një zhanër i vështirë”, thotë regjisori Milkani, i cili vesh petkun e aktorit në këtë film.
Edhe për aktoren Ema Andrea çdo eksperiencë është ndryshe, por tema që vjen e trajtuar sipas këndvështrimit të një artisti të huaj për vendin tonë, është një gjë pozitive. Filmi “Zgjimi i Enver Simakut” do të vazhdojë që të shfaqet edhe në festivalet ndërkombëtare.