Teatri në sprovën e vazhdueshme mes cilësisë dhe asaj që pëlqen masa, mes profesionalizmit dhe nepotizmit, dëshirës për të krijuar e nevojës për të mbijetuar...
Ndodh kështu në dhjetorin e vitit 1895, kohë kur dramaturgu Alexis Michalik koncepton pjesën “Edmond”, apo edhe “Cyrano de Bergerac” në lojën e metateatrit... Njësoj, në Tiranën e 2022-shit, kur Andia Xhunga dhe Indrit Çobani vendosin pjesën në skenë...
“Janë bërë shumë tentativa në dramaturgji, për të rrëfyer atë që ndodh pas kuintave, por asnjë dhe askush, si kjo shfaqje dhe si Alexis Michalik, që është autori, nuk e ka treguar me kaq vërtetësi, me kaq detaje duke shkuar në qelizën më të fundit të një organizmi siç është teatri”, thotë regjisori Indrit Çobani.
Salla e tejmbushur e Teatrit Kombëtar në rikthimin që shënohet në këtë sezon të tretë, si dhe 5 çmimet “Molier” të pjesës, rrëfejnë se teatri i mirë, pavarësisht distancave fizike a kohore, arrin të gjejë shtigjet për tek publiku... Me Lulzim Zeqjan, si protagonisti Edmond Rostand, publiku e ka të vështirë ta ndajë aktorin nga personazhi...
“Ky është si një himn, sikur është shkruar për ne, aktorë e regjisorë... Kjo është çka ka thënë dhe Indriti, që në momentet e para që jemi ulur në provat e tavolinës. Është një himn për ne, është pjesë jonë”, thotë aktori Lulzim Zeqja.
Një dramaturg që nuk i ka mbushur të 30-tat, baba i dy fëmijëve, e që në pauzë krijimtarie për dy vjet, propozon një komedi heroike, që në fakt ende nuk është shkruar...
Njësoj si për personazhet e “Edmond” edhe për aktorët e trupës së Teatrit Kombëtar, e nesërmja nuk ekziston, dhe rëndësia qëndron tek salla... duartrokitjet e publikut. Me perden e hapur, aktorët do të presin publikun për ti bërë pjesë të një loje jo të zakontë teatrale në këto 10 shfaqje të fundit...