I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte virtuozi i violinës Olen Cesari, i cili i rikthehet koncertit pas dy vitesh mungesë në skenat shqiptare. Në datat 18-19-20 prill mos bëni asnjë plan, pasi spektakli është i garantuar për të gjithë dashamirësit e muzikës që e pëlqejnë artistin Olen Cesari.
“Një herë në dy apo tre vite unë rikthehem në Tiranë për koncert dhe këtë herë do të rivij me repertor të ri, një tur që nis nga Tirana për të vazhduar më pas në të gjithë botën” tha Oleni në fillim të intervistës, duke shtuar se kjo është e bukura, pasi më në fund prodhohet fillimisht muzikë në Shqipëri, e më pas eksportohet.
”Këtë herë kemi shtuar një natë, pra e kemi bërë me tre, pasi nga hera e fundit njerëzit ishin të pakënaqur pasi kërkonin bileta dhe nuk i gjenin” shtoi ai, pa harruar të thoshte se kësaj here mjafton të shkohet tek olen.al dhe të gjithë mund të rezervojnë bileta. Falë teknologjisë, çdo person mund të aksesojë bileta, ndryshe nga 5 vite më parë ku njerëzit mbanin rradhë për të siguruar bileta.
”Ndihem si ato fëmijët e vegjël që mezi po presin të shkojnë tek këndi i lojrave, me të njëjtin padurim për të nisur koncerti në orën 6, kur hapen dyert e tij” tha artisti virtuoz, pa harruar të shtonte se do të shoqërohet nga një “ushtri” teknikësh, artistësh nga e gjithë bota si "International Clandestine Orchestra" që është dhe familja muzikore e tij.
”Eventi do të ketë dhe të ftuar special, balet, orkestër e dedikuar dhe besoj se njerëzit për dy orë do e shijojnë” theksoi ai. Mes artistëve me famë ndërkombëtare, koncerti do të ketë të ftuar dhe artist shqiptar si Marsela Çibukaj e cila do të ketë dy numra të bukur në koncert apo Gaz Paja. Oleni tha se edhe pse ka prekur skenat e botës, skena shqiptare është më e rëndësishmja për të, pasi është vendi nga vjen, familja ku çdo gjë ka filluar edhe pse karrierën e vërtetë e ka bërë në Itali dhe vazhdon t’a bëjë në Europë.
”Në emocionet që më jep publiku, ai shqiptar më specifikisht, më transformon, se di as unë sesi bëhet, por këmbejmë energji bashkë” tha ai. Së fundmi Oleni ka interpretuar tek Koloseu në Romë, si pjesë e projektit për të luajtur me violinën e tij në shtatë mrekullitë e botës. ”Ekpserienca më e vështirë e projektit ishte interpretimi në Brazil pasi fillimisht autoritetet nuk donin dhe kishte rrezik jete” shtoi ai. Peripecitë ishin të ngjashme dhe tek “Muri i Madh Kinez” ku Oleni ishte rrëzuar teksa ngjitej dhe as moti nuk e favorizonte performancën.”Nuk mbaronin letrat për të bërë të mundur këtë gjë dhe u deshën 6 muaj procedurë shkresore me ambasadën dhe më në fund na e dhanë një miratim” nënvizoi Oleni, duke shtuar se pas tentativës së dytë u bë e e mundur të realizohej, pasi tek e para moti bëri kapriço. Më pas ai ka në plan të shkojë dhe në Piramidat Meksikane, Taj Mahali në Indi dhe Machu Picchu në Peru. Sipas Olenit, artistët që vajtën të parët në Itali ishin ambasadorët e vërtetë për të prezantuar popullin tonë. Gjatë bisedës, Oleni foli dhe për një pasion të fshehur, siç është drejtimi i varkës së tij me vela “Situation”.
”Varka quhet ‘Situation’, pasi ka qenë një kohë ku kaloja në situata të ndryshme nga njëri-tjetra në aspektin artistik” tha Oleni në studio, duke shtuar se varka i jep qetësi mendore maksimale. Më pas Olen Cesari u ndal tek kujtimet e fëmijësirë në Durrës, ku ka jetuar deri në moshën 14 vjeçare.
”Kujtimet më të bukura janë tek Pallati i Kulturës së Durrësit, ku kam mbajtur koncertin e parë si fëmijë” tha ai, pa harruar të theksonte pasionin e tij për arkeologjinë që ndikohej nga i ati. I pyetur se çfarë do i thoshte vetes së tij 20 vjeçare, Oleni u shpreh se i vetmi peng i rinisë është udhëtimi dhe eksplorimi i botës. Ai zbuloi se prej kujt e ka marë këshillën më të vyer në jetë dhe marrëdhënien e veçantë me nënën e tij, njëkohësisht mësuesja e parë e violinës. Me shaka tregon dhe këshillën e nënës para çdo koncerti që i thotë të marrë me vete një hudhër.
”Ne kemi dhe një ritual si grup para çdo koncerti, ku vëmë duart sipër njëri-tjetrit dhe urojmë fat” shtoi ai në fund të bisedës përpara se të bënte një performancë ekskluzive në studio, të xhiruar me videoklip në “Murin e Madh Kinez”.