Kultura

Rikthehet pas 30 vitesh në Fier, Ismail Kadare merr titullin 'Qytetar Nderi': Dashuria e lexuesit, e shtrenjtë! Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë e kaq shqiptare

27 Maj 2021, 17:06| Përditesimi: 27 Maj 2021, 17:23

  • Share

Shkrimtari i njohur ndërkombëtarisht Ismail Kadare është vlerësuar me titullin “Nderi i Bashkisë së Fierit”, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm që i ka dhënë ndër vite letërsisë shqipe dhe për promovimin e saj në nivelet më të larta të kulturës botërore".

Çmimi iu dorëzua në sallë e teatrit nga kryebashkiaku Armando Subashi. Gjeniu i letrave shqiptare foli i emocionuar, teksa rikthehej në qytetin e Fierit pas 30 vitesh, këtë herë si qytetar nderi.

"Jam i lumtur që jam midis jush, besojeni për shkrimtarin sado i dëgjuar të jetë, dashuria e lexuesit është e shtrenjtë, prandaj ju falenderoj nga zemra për këtë pritje kaq të bukur, të ngrohtë e kaq shqiptare", u shpreh Kadare.

Aktiviteti u zhvillua në teatrin “Bylis", ku referuan akademiku Ali Aliu, Profesori i Letersise Sadik Bejko, Klara Kodra e Majlinda Rama.

"Është në nderin tonë të presim një mysafir të veçantë që me vepren e jashtëzakonshme u bë simboli ynë më i ndritshmë", tha Rama.

Ndërsa Aliu u shpreh se "lexuesi shqiptar për herë të parë lexon në gjuhën e tij veprën e një gjeniu si Kadare". Sadik Bejko u shpreh se" Kadare është një udhëheq shpirtëror për të gjithë shkrimtarët shqiptarë që erdhen pas tij".

Referatet rreth krijimtarisë dhe karrierës së suksesshme të  Kadaresë u përcollën me interpretimin brilant të aktorit të njohur Timo Flloko dhe aktorit të Teatrit "Bylis" Klajdi Marku.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?