Versioni i ri i filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana” u shfaq premierë në sallën e teatrit “Çajupi”. U zgjodh Korça, në shenjë homazhi për regjisorin Kristaq Dhamo, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë.
“Kemi ardhur këtu për porosinë e lënë nga regjisori Kristaq Dhamo, ndaj nata sonte i dedikohet atij. Kemi dhe plane të tjera, mund të them se ka nisur rrugën e restaurimit “Gjeneral Gramafoni”, u shpreh Marinela Ndria, drejtore e Arkivit Kombëtar të Filmit.
Ndërsa drejtuesja e teatrit “Çajupi”, Zamira Kita u shpreh se “ filmi i restauruar “Tana” është ndër filmat e parë shqiptar. Tinka Kurti ka xhiruar në Korçë për herë të parë, madje shpeshherë është shprehur se “jam korçare, sepse kam shumë kujtime”.
E emocionuar, Margarita Lala, montazhiere e filmit “Tana” u shpreh: “Sot jam 84 vjeç dhe në atë kohë isha 16 vjeç, isha montazhiere e filmit. Kemi xhiruar në Bugarec, Korçë dhe jam e lumtur se kam qenë pjesë e ekipit”.
Ngjarjet zhvillohen në vitet 50 ku në qendër të skenarit është Tana një vajzë e zgjuar me mendime të përparuara e cila dashuron por mentaliteti është ndryshe nga mendimet e saj. Roli kryesor është luajtur nga aktorja e mirënjohur Tinka Kurti e cila mori pjesë në premierën e filmit të restauruar në Korçë.
Restaurimi dhe dixhitalizimi i filmave të vjetër shqiptar i hap rrugë këtyre të fundit të shfaqen në kinema të huaja dhe të marrin pjesë në festivale ndërkombëtare.
Shumë prej protagonistëve të filmit nuk jetojnë më ndaj për ti përkujtuar në hollin e teatrit Çajupi u ekspozuan foto të shkëputura nga xhirimet e filmit “Tana”.