Ardian Mema e nisi me këmbën e mbarë te Kastrioti, duke fituar me Vllazninë, por skuadra krutane në fund të 2022 u mposht nga Egnatia, duke konfirmuar paqëndrueshmërinë. Trajneri tiranas thotë se ndërprerja e kampionatit e ka ndihmuar që të transmetojë idetë e tij te futbollistët, por shpreson që 2023 kundër Teutës të shtunën ta nisin me fitore, pasi në të kundërt do jetë shumë e vështirë për të përballuar sezonin.
“Mendoj se kjo është një ndeshje që duhet me doemos të interpretohet mirë nga ana ime dhe e futbollistëve. Na duhet një përqëndrim maksimal, pasi për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme. Rezultati pozitiv do ti sjellë një marëmbajtje të mir sezonit pasi në vijim kemi përballje me skuadrat më të forta,”-u shpreh Ardian Mema, trajner i Kastriotit.
Janari është periudhë merkatoje, por Mema nuk është optimist për blerjet e reja.
“Jemi në tratativa me 1-2 futbollista, por do kemi shumë kujdes sepse nuk duhet të kalojmë në aventurë, duke qenë se janari është shumë i varfër. Futbollistët i kanë zënë vendet e tyre dhe dhe në treg është e vështirë të gjesh të duhurin,”-deklaroi Ardian Mema, trajner i Kastriotit.
Pas 15 javësh kampionat Kastrioti renditet në vendin e 7 me 18 pikë, vetëm 4 më shumë se Teuta që pozicionohet e fundit.