Salernitana do të ndryshojë trajner pas humbjes së radhës nga Hellas Verona në Serie A. “Sportmediaset” bën me dije se Davide Nicola do të shkarkohet dhe në vend të tij do të afrohet trajneri Paulo Sousa.
Portugezi është gati të rikthehet në Itali pas përvojës së tij te Fiorentina në sezonin 2015-17 dhe më pas te kombëtarja e Polonisë. Sipas raportimeve ai ka arritur marrëveshje me drejtuesit e Salernitanës deri në qershor të vitit 2023, me të drejtë rinovimi edhe për dy vite të tjera nëse arrin ta shpëtojë klubin nga rënia në Serie B.
Njoftimi zyrtar i ndryshimit pritet nesër, kur Sousa të mbërrijë në Salerno. Një muaj pas shkarkimit dhe rikthimit të Nicola-s në stol, Salernitana nuk do ta mendojë dy herë tanimë. Presidenti Iervolino ka vendosur të ndryshojë drejtimin teknik të skuadrës pas disfatës së ngushtë në Verona.