Pas një armëpushimi disa-javor, Izraeli ka nisur sërish bombardimet në Rripin e Gazës me intenstitet të lartë, duke shkaktuar një numër të lartë viktimash çdo ditë.
Për të folur lidhur mbi luftën në enklavën palestineze dhe situatën në tërësi në Lindjen e Mesme, ishin të ftuar në “Studio Live" me Arbër Hitajn në Report Tv, Lutfi Bilalli, ish diplomat, dhe Marlind Laçi, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Për Bilallin, rinisja e luftës në Gaza është nxitur nga deklaratat e presidentit Donald Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga toka e tyre me qëllim kthimin e territorit në një atraksion turistik. Gjithashtu, ish diplomati parashikon se SHBA do të sulmojë ushtarakisht Iranin brenda 2 muajsh.
“Sot fjala më e rëndë është të përshkruhet ajo që po ndodh në Gaza dhe mendoj që e tëra kjo ka hyrë në një fazë kur po rritet ndërgjegjia e jetës së njerëzve dhe mund të them ndërgjegjia e gjithë botës, por arsyet janë me çështjen e pengjeve ka pasur një mosakordim në dy fazat e para, ku më pas duket se ka qenë dhe dëshirë e njërës palë për të ardhur deri te kjo çfarë po ndodh sot. Mendoj që Rripi i Gazës sot, sidomos pjesa veriore, ka arritur që të jetë nën kontrollin e forcave izraelite dhe mendoj që një shtytje të tillë të politikës së Netanyahut ka pasur iniciativa e Donald Trumpit për Gazën, e cila ka zgjuar një kundërshti nga mbarë opinion edhe politik edhe medial ngase tërheqja e popullatës 2.2 milionëshe nga Gaza ka qenë një çështje jashtëzakonisht kështu e rëndë dhe në aspektin humanitar”,-tha Bilalli.
“Ai (Trump) i ka dhënë impulse të reja që të fillojë një sulm të ri që të dëmtohet ai synimi për qëndresë dhe mbijetesë të asaj popullate”,-shtoi ai.
“Tërë rajoni mund të shkaktojë problematika të cilat mund të kenë pasoja jo vetëm Izraeli, po edhe Egjipti, Jordania ashtu kështu është një vend që ka potencial të madh por mendoj që do të jetë e kyçur prap Irani, grupet Hezbollahut në Liban dhe do të kemi një situatë dhe një terren ku lufta do të marrë kahje të reja dhe me një volum më të madh. Në këtë drejtim mendoj që edhe kërcimet amerikane ndaj Iranit janë serioze dhe besoj që në 50-60 ditët e ardhshme do të kemi goditje ndaj Iranit”,- tha më tej.
Eksperti Laçi tha se paralelisht me sulmet ndaj Hamas, Izraeli po sulmon edhe Sirinë, pa asnjë arsye konkrete. Ai tregoi se Turqia po ndërton baza ushtarake në Siri, por shteti hebre po përpiqet ta ndalojë.
“Izraeli dëshiron që ta shpërbëje Hamasin dhe t’i shpërbëjë forcat që ai mund t’i shohë si rivale në një kohë të afërt. Hamasi, qoftë dhe Hezbollahu kanë treguar se kanë qenë armiqtë e tij të drejtpërdrejtë, por ai po përpiqet të dëmtojë sa të mundet edhe ushtrinë e re siriane, e cila po formohet me Sirinë e re, megjithëse se ata nuk kanë pasur ndonjë reagim apo ndonjë arsye pse ta bëjnë këtë gjë, pa arsye ata kanë sulmuar dhe janë futur në një luftë tjetër që nuk i dihet se ku do të shkojë përfundimi i saj. Në aleancë me Sirinë është edhe Turqia e cila përflitet kohët e fundit që është duke ngritur disa baza në Siri, në qendër të Sirisë dhe mesa duket Izraeli është duke u përpjekur të pengojë në çdo formë ngritjen e këtyre bazave, pra të bëjë atë faktin e kryer që këtu janë territore që Izraeli i pushton kur të dojë”,-tha Laçi.
Komente
