Rikthimi i maturantëve në shkollë nën masat anti-covid, drejtoresha: Nga 10 nxënës në klasa, 4 orë mësimi pa pushim të madh

15 Maj 2020, 18:09| Përditesimi: 15 Maj 2020, 18:19

  • Share

Gjimnazet janë gati për të mirëpritur maturantët më 18 maj, por këtë herë nën masa të rrepta sigurie për shkak të pandemisë Covid-19.

Drejtoresha e gjimnazit Petro Nini Luarasi tregon se të hënën maturantët do të hyjnë në shkollë duke ndjekur trajektoren e sigurisë dhe duke bërë fillimisht dezifektimin.

Drejtoresha e shkollës Teuta Bracaj, tregon se gjithçka është gati për pritjen e maturantëve. Për të shmangur grumbullimin e tyre në mëngjes, drejtoresha tregon se është bërë një ndarje oraresh.

"Kemi arritur të bëjmë orarin e shkollës, ku çdo klasë do të ketë nga 4 orë çdo ditë. Petronini ka gjithsej 403 maturantë dhe jemi kujdesur që të mos jenë në orën 8 të mëngjesit, por të vijnë pjesë pjesë, në orën 8 klasat e para 14 klasa  me nga 10 nxënës në çdo klasë. Në 9 pa 10,  11 klasa dhe në orën e tretë dhe të katërt do të jenë të gjitha klasat, 36. Mësuesit do të jenë jo vetëm tek hyrja por do të jenë edhe në korridoret e shkollës për të ruajtur rregullin", ka thënë drejtoresha.

Duke qenë se ndarja në klasa do të jetë jo më shumë se 12 nxënës, janë angazhuar të gjthë mësuesit e shkollës por dhe praktikantët.

"Dua të theksoj në lidhje me orarin, kemi angazhuar praktikantët 1- vjeçarë, pushim të madh nuk ka, orët do të jenë 45 minuta me 5 minuta pushim, dalje në 5-minutësh  nuk do të ketë. Kush ka nevoja do të dalë vetëm gjatë procesit të konsultimit duke marrë leje nga mësuesi që ka në klasë dhe nga mësuesit që janë në korridor", tha ajo.

Në ambientet e shkollës janë afishuar dhe postera me rregullat që duhet të zbatohen nga maturantët për masat anti-covid.

Edhe në Kukës prej ditësh ka nisur përgatitja e 10 shkollave të mesme sipas protokollit sanitar. Më shumë se 650 maturantë të qytetit të Kukësit do t'ju rikthehen bankave të shkollës për të mbyllur vitin shkollor.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?