TIRANË- Fizikantja Mimoza Hafizi në studion e Report Tv ka folur lidhur me misionin e ‘Artemis 1’, ku tha se ky është momenti i duhur për ta kthyer hënën në një objekt të shfrytëzueshëm për interesat e njerëzimit. Në intervistën me gazetarin Arbër Hitaj, Hafizi tha se rikthimi i njerëzimit në hënë është një lajm i mirë drejt asaj që ka qenë dëshira më e madhe, pushtimi i hapësirës.
“Kishte ardhur momenti për t’u rikthyer në hënë. Me ‘Apollo’ kanë shkuar 12 burra, tani ka ardhur koha të rikthejmë hënë në një objekt të shfrytëzueshëm për interesat tona, të kthehet në një pjesë të tokës për studime ose interesa ekonomike. (...) Pushtimi i hapësirës që është tentativë që e kemi dëshiruar gjithmonë është dhe për interesa të njerëzimit, për të parë për të ardhmen e tij. Në këtë shekull me shumë gjasa njerëzit do të shkelin marsin, kthehemi fuqishëm në hënë”, u shpreh Hafizi.
Hafizi u ndal edhe në një analizë më teknike të misionit, ku tha se procesi është i ndarë në disa etapa me qëllime të ndryshme, pjesë e së cilës është edhe prova nëse trupat e grave mund të përballojnë rrezatimin komik.
‘Artemis 1’ kishte si qëllim të provonte se sa e përballojnë trupat e grave, se ka diferencë nga organizmi femëror në reagimin e tyre nga rrezatimi kozmik, sepse etapa pasuese është do të dërgohen njerëz në hënë, sepse etapa tjetër do jetë zbritja në hënë dhe do jenë dhe gra, prandaj e ka emrin ‘Artemis’. Etapa e katërt do jetë ndërtimi i një porte hënore, do ketë shumë shpejt një bazë e njerëzve rrotull hënës që do shërbejë për nisjen në mars”, tha ajo në Report Tv.
Si fizikante, Hafizi tha se nuk ka dijeni për astronaut shqiptar në NASA, por nuk është e pamundur.
“Janë emra shumë të rrallë, qindra njerëz austronaut, gra janë nja 50 që janë hedhur në hapësirë, amerikanë, pak europian, rus dhe ne nga vendet e vogla kemi problabilitet të vogël”, tha ajo.
Ajo u ndal edhe në rregullimin e hapësirës me anë të një ligji ndërkombëtar në zonat për sundimin e kësaj bote që shkon përtej planetit tokë.
“Nuk është rregulluar, ka pasur debate që u hodhën satelitët për ndër lidhje, u bë debat se astronomët thanë se cenojnë pastërtinë e qiellit, mungon një legjislacion dhe vjen një moment ku janë 2 palë që duan të njëjtën tokë, duhet një ligj për të ndarë zonat e gjithsecilit për sundimin e hapësirës”. deklaroi në Report Tv, Hafizi.
Në fund, Hafizi u ndal edhe në ekzistencën e jetës në një planet tjetër, ku tha se përpjekja e njerëzve për t’i zbuluar, është një formë vetëmbrojtje, për të shmangur rrezikun që mund të vijë nga këto qenie jashtëtokësore (nëse ekzistojnë).
“Ka risk, por kjo përpjekja që ne të jemi të parët është edhe një farë vetëmbrojtje, ose një sulm i ardhshëm, nëse ekziston jeta diku tjetër dhe ka rrezikshmëri ne të jemi të përgatitur për t’u vetëmbrojtur”, përfundoi Hafizi në Report Tv.
NASA kishte planifikuar të dërgonte dje një raketë në hënë, si pjesë e misionit “Artemis” me qëllim dërgimin e astronautëve në 2025-n, por për shkak të një defekti teknik, raketa nuk u lëshua dhe u shty për në 2 shtator.
Lajmi në Shqiptarja.com u përgatit nga gazetarja Brunilda Kazani