Hera e fundit që Dinamo merrte pjesë në kompeticionet evropiane ishte në verën e 2011, me "Blutë" që eliminoheshin nga Sheriff Tiraspol në turin e parë të Champions League. Tanimë Dinamo rikthehet në Evropë për llogari të sezonit 2025-26 dhe pas 15 vitesh ia del të fitojë në rikthim. Të drejtuar nga Ilir Daja, Dinamo mposhti 1-2 me përmbysje në Andorrë rivalët e Atletic Club d'Escaldes në Conference League.
"Nëndetësja" ka hedhur një hap pozitiv në garën për të kaluar në turin e tretë, teksa pas ndeshjes për "Supersport" foli Ilir Daja. Trajneri i Dinamos tha se ekipi i tij pati një reagim të mirë në pjesën e dytë, pas një fraksioni të parë që nuk ishte për t'u marrë shembull.
"Vijmë në turin e dytë falë shortit të UEFA-s. Do ishte më mirë nëse do kishim edhe dy ndeshje të tjera sepse nuk e kemi ritmin. Kemi përballë ekip që nuk duhet nënvlerësuar sepse dinë të luajnë mirë futboll. Në manovrën që kishin ishin të vështirë për t’i bërë presing lart. Na vjen mirë që pas kaq shumë vitesh mungesë, Dinamo rikthehet me fitore.
Në shtëpinë tonë, edhe që e njohim kundërshtarin, duke respektuar 90 minutat e dyta, besoj që kemi nevojë të përmirësohemi. Ardhjet e reja kanë nevojë të përshtaten. Do luftojmë në të dyja planet, për merkaton, qoftë për këtë kompeticion dhe kampionati në Shqipëri. E kishim parë kundërshtarin, ashtu si luajti brenda në Andorra në ndeshjen e turit të parë kualifikues, ashtu u prezantua edhe sot.
Nisja jo e mirë? Mendoj ndoshta spostimet, ndoshta orari, duke u nisur nga fakti se ndeshja nisi në orën 16:00, temperaturat të papranueshme, u ftilluam pjesën e dytë, reaguam. Atë që bëmë në pjesën e dytë ndoshta duhet ta bënim që në pjesën e parë, kjo ndoshta edhe për meritë të kundërshtarit.
Sulmi? Mendoj se Itodo është potencial në sulmin tonë. Dyshe e frikshme me Zabërgjën sepse plotësojnë njëri-tjetrin. Beqja do kohën e vet të përshtatet sepse ka vetëm një seancë stërvitore me ekipin. Jemi kënaqur që i është afruar projektit tonë. Edhe lojtarët e tjerë do jenë javën tjetër, ata që do kenë formën më të mirë mund të jenë ata që do e startojnë. Në fund këto ndeshje nuk presin, janë me sistem eliminimi dhe duhet të jemi në maksimum", tha Ilir Daja mes të tjerash.
Ndeshja e kthimit luhet pas një jave (e enjte) në Shqipëri dhe Dinamo ka marrë një rezultat të mirë, teksa me avantazhin e sfidës së parë kërkon turin e tretë të Conference League.
Komente
