Pas 103 ditësh me dëmtime dhe një kohe jo të mirë, Rafael Nadal është rikthyer në fushë dhe këtë e bëri në turneun e Barcelonës, aty ku u eliminua që në raundin e dytë nga australiani Alex de Minaur.
Pas eliminimit, Nadal tha se ky nuk ishte një turne ku ia vlente të jepje gjithçka nga vetja, duke treguar se synimi i tij i radhës është Roland-Garros.
"Kjo ishte një humbje e merituar për mënyrën si luajta, por nuk ishte nga ato ndeshje që ia vlen edhe të japësh jetën. Unë dua që të vazhdojë të përmirësohem fizikisht dhe të bëj maksimumin aty ku ka vërtet rëndësi. Do të kërkoj që të bëj një hap më shumë në Madrid më pas në Romë dhe në fund Parisi.
Aty është momenti final për të dhënë gjithçka nga vetja dhe të ndodhë çfarë të ndodhë. Gjithmonë nëse trupi më lejon të shtyj aq sa unë pretendoj. Shpresoj që të bëhem më shumë kompetitiv me kalimin e ditëve dhe që të jem në gjendje të zhvilloj një Roland-Garros pozitiv", tregoi 37-vjeçari nga Palma de Mallorca.
Roland-Garros, turneu prestigjoz francez do zhvillohet nga 20 maji deri më 9 qershorin e këtij viti.