Shqiptari Ylber Sefa është fituesi i rrethit të 79 çiklistik të Shqipërisë. Edhe pse humbi fanellën e verdhë një ditë më parë, në etapën Vlorë-Gjirokastër, 31-vjeçari rikuperoi këtë të shtunën në etapën e pestë Gjirokastër-Fier. Në vendin e dytë u rendit azerbajxhanasi Elchin, ndërsa podiumin sot e siguroi edhe kroati Baraç.
“Sinqerisht ishte e lodhshme sepse vapa bëri punën e saj. Gjithashtu kemi katër ditë rresht që luftojmë me ekipin rumun dhe holandez. Realisht edhe ata ishin të lodhur dhe në maloren sa kalon Memaliajn dhashë goditjen e fundit duke krijuar edhe distancën,”-u shpreh Ylber Sefa, çiklist.
Për Sefën etapa e pestë ishte më shumë individuale, ndërsa thotë se kjo fitore do ta ndihmojë shumë në të ardhmen.
“Kjo fitore do të thotë sakrificë, punë e palodhshme e ekipit dhe gjithashtu motivim për vitin e ardhshëm,”-deklaroi Ylber Sefa, çiklist.
Rrethi Çiklistik i Shqipërisë për herë të katërt është pjesë e kalendarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit, ndërsa morën pjesë 12 ekipe, 3 shqiptare dhe 9 të huaja. Në total ishin pesë etapa me 728 kilometra rrugë të përshkruara.