Në zemër të Tiranës, zona e ish-Bllokut, është e njohur për lokalet e shumta, që e kanë bërë atë ndër më të frekuentuarat e më tërheqëset, por njëkohësisht kaotike e nën trysninë e fluksit të makinave dhe një trafiku mbytës.
Një ndërhyrje e planifikuar nga Bashkia, në tre akset që përshkojnë atë, pritet të transformojë gjithë këtë hapësirë, në muajt në vijim.
“Në rrugën Ismail Qemali do të eleminohet korsia e parkimit në drejtimin verior dhe do të zëvendësohet me korsi biçiklete.”, thotë Ray Koçi, këshilltare për planifikim urban.
Ndërkohë, rrugët “Pjetër Bogdani” dhe “Brigada VIII” kanë secila vetëm një korsi parkimi aktuale, të cilat nuk do të shërbejnë më për parkim, por do të shndërrohen në trotuar.
“Do të rikuperohet plotësisht për t’iu dedikuar dhe ofruar të dy anëve të trotuareve që ka në secilën rrugë, të cilat janë tejet të ngushta”, shprehet Koçi.
Ky projekt, synon rikthimin e hapësirave publike, banorëve të ish-Bllokut, sidomos të të moshuarve dhe të vegjëlve.
Në këtë hapësirë do të ketë shtim të elementeve identifikuese, si betoni me ngjyrë të kuqe dhe përdorimi i trafik ndarëseve, që do të shërbejnë edhe si stola për t’u ulur, apo hijet në rrugë.
“Do të stabilizohet dhe gjelbërimi dhe rehabilitohen zgarat e pemëve, të cilat shpesh paraqesin pengesë, ndërsa aty ku ka objekte të rëndësisë së veçantë, si kopshte, çerdhe apo shkolla fillore do të trajtohen si sheshe”, thekson këshilltarja në bashkinë e Tiranës.
Korsia e lëvizjes së automjeteve do të jetë rreth 3.25 cm e gjerë. Për shumëkënd, një pyetje që mund të ngrihet është nëse këto ndërhyrje dhe ngushtimi i korsive do të sjellin rëndim të trafikut.
“Zgjerimi i korsive të lëvizjes sjell shtim të trafikut dhe jo ngushtimi i tyre. Do të vijojmë të kemi një korsi lëvizjeje në secilën rrugë, por do të eliminohet parkimi që bëhet shpesh arsye për bllokim trafiku.”, shpjegon Ray Koçi, këshilltare për planifikim urban.
Në rrugën Pjetër Bogdani dhe rrugën Brigada VIII, ku do të eliminohet parkimi, do të vendosen dy xhepa të dedikuar si hapësira për ndalim të përkohshëm të automjeteve të shërbimit për shkarkim- ngarkim.
Projekti pritet të nisë në muajin korrik dhe të përfundojë brenda tetorit.
Komente

Si projekt eshte i mire,Blloku kur u projektua,u be qe te shetisnin me kembe vetem byroistet dhe te kalonte ndonje makine aty-kety nga ato te tyret,apo te sherbimit te gardes e Sigurimit.Nuk u projektua as per kete trafik kembesoresh,se per kaq makina qe parkojne,apo kalojne tani aty jo e jo.S.d.q nese keni menduar per kembesoret,duhet te keni gjetur nje zgjidhje dhe per makinat,pasi jo te gjitha u perkasin frekuentuesve te bareve e klubeve,nje pjese jane te banoreve te atyshem.
Përgjigju